Sport

Golden State Warriors barazon serinë gjysmëfinale

Kampioni në fuqi i ligës NBA, Golden State Warriors, ka fituar ndaj LA Lakers në ndeshjen e dytë të serisë gjysmëfinale të Konferencës së Perëndimit, me rezultatin 127:100.

Tani seria gjysmëfinale është 1:1.

Klay Thompson ishte koshashënuesi më i mirë me 30 pikë për Warriorsin, kurse Stephen Curry shtoi 20 pikë e 12 asistime.

Anthony Davis, i cili shkëlqeu në duelin e parë për Lakersin, u ndal në vetëm 11 pikë të realizuara.

LeBron James ishte më i dalluari te Lakersi me 23 pikë, por qëndroi jashtë parketit në çerekun e fundit, bashkë me Davisin.

Warriorsi kishte epërsi prej 30 pikëve në atë periudhë të lojës, pasi kishte shënuar 41 pikë në çerekun e dytë dhe 43 të tjera në çerekun e tretë.

Dy ndeshjet e radhës të serisë gjysmëfinale tani barten në Los Angeles. E para luhet të dielën.

Ndeshja e tretë e serisë gjysmëfinale ndërmjet Boston Celtics dhe Philadelphia 76ers, do të luhet të shtunën.

Seria në atë gjysmëfinale është 1:1, pasi Celticsi fitoi 121:87 në ndeshjen e fundit.

Ndërkohë, Mike Bundenholzer u shkarkua nga posti i trajnerit të Milwaukee Bucksit, dy vjet pasi e udhëhoqi skuadrën drejt titullit.

Bucksi kishte formën më të mirë në sezonin e rregullt, por u mposht nga Miami Heati në raundin e parë të plejofit.