Në fazën më të rëndësishme të kampionatit, basketbolli kosovar ka marrë seri goditjesh. Goditjet ishin jashtë parketit dhe mund ta dëmtojnë shumë garën për titull të kampionit, por edhe imazhin e basketbollit kosovar në përgjithësi.
Në qendër të dyshimeve e akuzave janë gjyqtarët e huaj që i ka angazhuar Federata e Basketbollit të Kosovës për ndeshjet gjysmëfinale të plejofit.
Fillimisht Sigal Prishtina ka pretenduar përmes një komunikate se ka pasur tentim për të korruptuar gjyqtarët grekë, Kardaris e Zacharis, që ata ta ndihmojnë Trepçën në ndeshjen e së enjtes. Trepça ka mohuar përfshirjen dhe ka kërkuar që të hetohet ky rast, por edhe raste të tjera ku dyshohet për kurdisje e parregullsi. Është paraqitur me komunikatë edhe Peja që ka dyshimet e saj për pastërtinë e ndeshjes të së martës me Yllin. Skuadra suharekase kishte fituar në Pejë.
Nga Federata e Basketbollit të Kosovës kanë pranuar se gjyqtarët kishin takim të paautorizuar me një person dhe për këtë i ndryshuan.
Para fillimit të gjysmëfinales së plejofit, FBK-ja vendosi që ndeshjet t’i drejtojnë dy gjyqtarë të huaj e një i vendit. Fillimisht kishte gjyqtarë francezë e më pas gjyqtarë nga Greqia.
Të mërkurën ndeshjen mes Pejës e Yllit e drejtuan dy grekë dhe një gjyqtar kosovar i basketbollit. Dy grekët është dashur të drejtojnë edhe ndeshjen e së enjtes mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës. Por kjo nuk ndodhi. Ndeshjen në Prishtinë e drejtuan tre gjyqtarë vendorë. Fitore shënoi Prishtina që tani udhëheq 2:1 në serinë gjysmëfinale.
“Gjatë pasdites së të enjtes morëm informatë që dy nga tre gjyqtarët e deleguar për ndeshjen në fjalë kanë pasur një takim të paautorizuar me persona të tretë, pa njoftim dhe informim të FBK-së. Me të konfirmuar informatën për këtë kontakt të paautorizuar, përkundër faktit që nuk kemi pasur kurrfarë dëshmie për ndonjë keqpërdorim potencial, FBK-ja ka ndërruar nominimin me qëllimin që të shmangim çfarëdo mundësie të ndikimit apo manipulimit të rezultatit të ndeshjes dhe ruajtjes së integritetit të garës i cili vazhdon të jetë i pandikuar nga faktorë negativë të jashtëm”, ka thënë kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.
Ai ka theksuar se është njoftuar Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport. Fetahu ka kërkuar që të zbardhet rasti nga autoritetet e vendit.
“Shprehim përkushtimin tonë për të garantuar integritet të palëkundur të garave dhe njoftim të të gjitha rasteve të njohura e potenciale të keqpërdorimeve, manipulimeve apo kurdisjeve potenciale tek organet kompetente, pa asnjë përjashtim dhe kufizim, duke qenë se veprimet e papërgjegjshme të individëve të caktuar mund ta dëmtojnë në mënyrë të pariparueshme imazhin dhe renomenë e sportit të basketbollit në vendin tonë. Njëkohësisht, në emër të FBK-së i kam njoftuar edhe kryetarët e katër ekipeve pjesëmarrëse të kësaj faze të garës për ngjarjen dhe për arsyet e ndërrimit të nominimit për ndeshjet në vijim, ndërsa nga organet e FBK-së kam kërkuar vigjilencë të shtuar në ndeshjet në vijim për të garantuar kushte të barabarta të garimit në terrenet e basketbollit”, ka shtuar Fetahu.
Pretendimet e Prishtinës
Sigal Prishtina pretendon se ka zbuluar skandalin më të madh në histori të basketbollit kosovar dhe se e ka parandaluar dëmin e madh sportiv. Prishtina ka shkruar se posedon incizime se një person ka futur në veturën e tij gjyqtarët grekë dhe u ka ofruar ryshfet për manipulim të ndeshjes në favor të Trepçës. Sipas Prishtinës, gjyqtarët grekë e kanë pranuar ngjarjen.
“Në bazë të dyshimeve të bazuara, të konfirmuara nga informatat dhe të vërtetuara nga videoincizimet, e më pas të pranuara nga vetë akterët e përfshirë, kemi zbuluar dhe pastaj kemi bërë kallëzimin e veprës penale ndaj një personi, i cili shihet duke i futur në veturën e tipit Mercedes dy referët grekë të ndeshjes, Zacharis dhe Vardaris, duke i ofruar ryshfet për manipulimin e ndeshjes mes KB Sigal Prishtina dhe KB Trepça, në favor të mysafirëve. Me të vërtetuar rastin, kemi njoftuar drejtuesit e FBK-së, të cilët pasi kanë kuptuar rastin kanë biseduar me referët e lartpërmendur dhe ata e kanë pranuar ngjarjen. Kjo është edhe arsyeja se pse këta referë nuk kanë arbitruar ndeshjen. Pasi që kemi zbardhur rastin, atë e kemi denoncuar pranë organeve kompetente të Policisë së Kosovës para fillimit të ndeshjes dhe presim që sa më shpejtë të hapen procedurat penale ndaj të gjithë personave të përfshirë”, ka shkruar Prishtina, ndër të tjera.
Me deklaratë më pas doli edhe Trepça. Klubi mitrovicas mohoi fuqishëm përfshirjen, duke garantuar pastërti si “kristalet e Trepçës”.
Klubi mitrovicas ka kërkuar që të hetohet ky rast, por edhe raste të tjera të dyshimeve e akuzave.
“Klubi ynë nuk është dhe nuk ndjehet pjesë e këtyre zhvillimeve jashtë fushës së basketbollit. Trepça, ashtu si kristalet e minierës sonë, është plotësisht e pastër. KB Trepça nuk merret me gjëra që nuk i takojnë sportit dhe me ‘lojëra’ jashtë parketit. Prandaj, ftojmë organet përgjegjëse të hetuesisë së shtetit tonë dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës që të kryejnë punën e tyre dhe të zbardhin pretendimet e klubit Sigal Prishtina. Gjithashtu, ftojmë dhe do të insistojmë si klub që të zbardhen jo vetëm këto pretendime, por të gjitha dyshimet për parregullsi në basketbollin kosovar në vitet e fundit”, shkruan në komunikatën e Trepçës.
Dyshimet e Pejës
Gjyqtarët grekë kanë drejtuar edhe ndeshjen e Pejës me Yllin, të luajtur të enjten. Dhe kjo ka nxitur ekipin pejan që të dalë me reagim rreth situatës së krijuar. Sipas Pejës, ndeshja është përcjellë me shumë gabime tendencioze në referim.
“Nga kjo edhe rrjedh dyshimi i bazuar që të njëjtit kanë qenë të kurdisur edhe në ndeshjen tonë”, ka shkruar Peja në komunikatë.
Peja ka kërkuar hetime të mëtejme. Po ashtu i ka ofruar përkrahje Prishtinës.
“Kërkojmë urgjentisht nga organet kompetente që ky rast të hetohet deri në fund dhe ata që dëshirojnë ta shkatërrojnë basketbollin për interesa shumë të ngushta personale të marrin dënimin e merituar. Kërkojmë nga Federata që të ndërmarrë veprime të menjëhershme ndaj personave përgjegjës për delegimin e referëve. KB Prishtina është rivali i përbetuar i KB Pejës në fushë, por sot jemi të bashkuar për t’i luftuar ata që dëshirojnë ta rrënojnë basketbollin dhe punën tonë shumëvjeçare. Sot duhet të jemi të gjitha klubet se bashku për ta mbrojtur integritetin dhe lojën fer në sport”, shkruan Peja.
Ish-drejtori i Pejës, Arbër Elshani, përmes një postimi ka hedhur dyshime për kurdisje edhe në edicionet e kaluara.
FBK-ja pritet të kthejë gjyqtarët e huaj për ndeshjet finale, por situata e krijuar nuk pritet të kalojë pa pasoja.