Gati gjysma e kandidatëve dështuan në një provim të ri të FIFA-s për ata që synojnë të punojnë si agjentë lojtarësh në futboll, tha organi qeverisës të enjten.
Vetëm 1962 persona apo 52 për qind e 3800 kandidatëve nga mbarë bota kaluan testin e javës së kaluar për të marrë një licencë që do të jetë e detyrueshme për të punuar në negociatat e transferimit të lojtarëve dhe përpilimin e kontratave nga muaji tetor i këtij viti.
FIFA po sfidohet në shumë raste ligjore në të gjithë Evropën nga agjentë dhe avokatë të ndryshëm që kërkojnë të bllokojnë sistemin e ri të licencimit që do të kufizonte tarifat dhe do të rregullonte një industri që ofron qindra milionë euro për çdo vit. Rundi i dytë i provimeve do të mbahet në muajin shtator. Kushton 600 euro për të marrë testin dhe nota kaluese në këtë test është vendosur në 75 për qind të përgjigjeve të 20 pyetjeve brenda një ore në gjuhën angleze, frënge apo spanjolle. Testi është i detyrueshëm për agjentët e mundshëm të futbollit, të cilët nuk janë licencuar që nga viti 2015, sipas një sistemi të mëparshëm. Agjentët për një kohë të gjatë, duke përfshirë disa që kanë fituar dhjetëra miliona euro nga marrëveshjet e transferimeve të futbollistëve të profilit më të lartë, mund të përjashtohen nga testi nëse aplikojnë për licencë deri në muajin shtator. Ata gjithashtu duhet të angazhohen për trajnime të vazhdueshme dhe pastaj të aplikojnë, në mënyrë që ta kenë mundësinë e pajisjes me licencë. Por, vetëm në rast se e kalojnë testin.
FIFA dëshiron të kufizojë të ardhurat e agjentëve në maksimum prej 10 për qind të tarifave të transferimit kur ata veprojnë për klubin shitës. Agjentët gjithashtu do të kufizoheshin në marrjen e 3 për qind të pagës së një lojtari kur ato fitime janë më shumë se 200 mijë euro në vit, ose 5 për qind kur lojtari fiton deri në 200 mijë euro. Këta kufij do të ishin 6 për qind dhe 10 për qind kur agjenti do të vepronte si për lojtarin ashtu edhe për klubin me të cilin nënshkruan futbollisti.