Sport

Gjykata Evropiane shqyrton çështjen e tifozëve të Barcelonës për marrëveshjen e Messit

Gjykata Evropiane po vendos nëse një grup tifozësh të Barcelonës në Francë mund të kërkojnë nga Komisioni Evropian të hetojë nëse Paris Saint-Germaini nënshkroi padrejtësisht me Lionel Messin dhe rrezikoi financat e Barcelonës. Gjykata në Luksemburg dëgjoi kërkesën të martën nga një grup tifozësh nga Lyoni që argumentoi se të drejtat si anëtarë të Barcelonës po shkeleshin nga klubet që kishin një avantazh të padrejtë, për shkak të rregullave gjoja joefikase financiare në vende si Franca. Gjykata Evropiane do të vendosë nëse Komisioni Evropian duhet ta pranojë grupin si palë të interesit dhe të hapë një hetim mbi ankesën për ndihmën e supozuar të paligjshme shtetërore për PSG-në.

PSG-ja që nga viti 2011 është në pronë të “Qatar Sports Investments”, një degë e “Katar Investment Authority”, fondi shtetëror i pasurisë sovrane në Katar. PSG-ja e kontraktoi Messin në vitin 2021 si një transferim i lirë, pasi Barcelona u bllokua nga rregullat e financave të ligës spanjolle nga rinënshkrimi i tij. Grupi i tifozëve shpreson se një hetim do ta shtyjë Komisionin Evropian t’i marrë përsipër rregullat e ferplejit financiar në mbarë Evropën për t’i rregulluar ligat e futbollit dhe për t’i parandaluar klubet shtetërore si PSG-ja nga shpenzimet e tepërta.

“Ne po i kërkojmë Komisionit që ta ndryshojë thellësisht sistemin”, tha Issam Abdelmouine, i cili është një nga palët në këtë rast së bashku me grupin e tifozëve. “Klubet si Barcelona po përballen me konkurrencë të pabesë dhe po humbin shumë para. Ato rrezikojnë të shndërrohen në private dhe më pas anëtarët do të zhduken”.

Objektivi i grupit është i ngjashëm me atë që liga spanjolle është përpjekur të bëjë për t’i frenuar shpenzimet e lira të klubeve shtetërore, si PSG dhe Manchester City, i mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Liga tashmë ka paraqitur një ankesë në UEFA kundër PSG-së për thyerjen e rregullave të ferplejit financiar kur i dha Kylian Mbappes një marrëveshje të re që e bindi atë të refuzonte një lëvizje në Real Madrid. La Liga gjithashtu planifikon t'i çojë rastet e saj në Gjykatën Evropiane, duke argumentuar se praktikat e padrejta rrezikojnë qëndrueshmërinë e futbollit, dëmtojnë të gjitha klubet dhe ligat evropiane, si dhe shërbejnë vetëm për ta fryrë artificialisht tregun me para që nuk janë krijuar në vetë futbollin. Avokati për çështjen e grupit të tifozëve të Barcelonës, Juan Branco, është i punësuar nga liga në çështjen kundër PSG-së në lidhje me ankesën ndaj Mbappes. Vendimi i Gjykatës Evropiane pritet pas disa muajsh. Palët do të mund ta apelojnë vendimin.