Tenisti serb Novak Gjokoviq ka humbur apelin në Gjykatën Federale, ndërsa pritet të dëbohet nga Australia.
Gjokoviq kishte apeluar në Gjykatën Federale pasi sërish iu anulua viza.
Tre gjyqtarët votuan sot për të refuzuar unanimisht apelin e tij. Arsyet për këtë vendim kanë thënë se do t’i japin në një datë tjetër.
Gjokoviqit fillimisht i ishte refuzuar viza nga autoritetet australiane me të arritur në aeroportin në Melbourne, me arsyetimin se ai nuk kishte plotësuar si duhet formularët, për të treguar arsyet pse është i kursyer nga vaksinimi kundër COVID-19.
Gjokoviq në arsyetimin e tij kishte thënë se kishte rezultuar pozitiv me COVID-19 më 16 dhjetor, por gjatë asaj periudhe ai ishte parë duke marrë pjesë në evente në Serbi dhe pa maskë. Po ashtu ai kishte thënë se nuk ka udhëtuar në ndonjë shtet tjetër dy javë para se të arrinte në Australi, mirëpo ai kishte qenë në Spanjë.
Gjokoviq kaloi disa ditë në një hotel që shërben si qendër paraburgimi për migrantët, Gjokoviq në fillim të javës fitoi betejën e parë gjyqësore dhe u lirua nga kjo qendër. Mirëpo, të premten, ministri i Imigracionit i Australisë, Alex Ha]ke, vendosi të anulonte sërish vizën e Gjokoviqit.
Gjokoviq kështu vendosi që të apelonte në Gjykatën Federale, por edhe këtë rast tash e ka humbur.
Gjokoviq, tenisti numër një në botë dhe fitues i 20 turneve Grand Slam, ka thënë se është shumë i dëshpëruar, por respekton vendimin.
“Do të bashkëpunojë me autoritetet relevante në lidhje me largimin tim nga shteti”, thuhet në komunikatë të tij.
Gjokoviq ishte paraparë të luante në Grand Slam turneun “Australian Open”, ndërsa meçin e parë e kishte të hënën kundër serbit Miomir Kecmanoviq.
Jashtë gjykatës sot u mblodhën përkrahës të Gjokoviqit.
Gjokoviqit mund t'i ndalohet hyrja në Australi për tri vjet.