Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gjilanit i largohet një futbollist

Në mes të krizës financiare nëpër të cilën po kalon këtë edicion, skuadra e Gjilanit ka mbetur pa një futbollist. Mesfushori Augustin Torassa ka bërë të ditur se nuk do të jetë më pjesë e ekipit gjilanas.

Nëpërmjet një njoftimi në “Facebook”, Torassa ka falënderuar klubin dhe tifozët, me shpresën se do të kthehet një ditë te Gjilani. “Ju njoftoj se nga sot nuk do të jem më pjesë e SC Gjilanit. Krenar që kam qenë pjesë e këtij klubi, falënderoj të gjithë njerëzit që ndanë me mua gjatë gjithë kësaj kohe. Unë do të ruaj kujtimet më të mira. Faleminderit SC Gjilani, faleminderit tifozëve për respektin, dhe faleminderit Kosovës! Shpresoj të kthehem një ditë”, ka shkruar Torassa.

Argjentinasi iu bashkua Gjilanit në verën e vitit të shkuar, ndërsa klubi para fillimit të këtij edicioni ka mbetur pa kryesi dhe lojtarët nuk kanë marrë ende paga. Pas 13 xhirove të luajtura këtë edicion, Gjilani zë vendin e katërt në tabelë me 16 pikë të mbledhura.

Torassa këtë edicion ka regjistruar dhjetë paraqitje në Superligë.

Artikuj të ngjashëm