Skuadra e Gjilani përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se pas përfundimit të edicionit ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me disa futbollistë të cilët bartën fanellën e klubit prej edicioneve të mëhershme dhe ai i kaluar, transmeton Koha.net.
Në mesin e futbollistëve që iu është ndërprerë bashkëpunimi është edhe Fisnik Papuqi, i cili ka mbrojtur ngjyrat e klubit të Gjilanit për dy sezone.
“Sport Club Gjilani, ju informon se ka mbyllur marrëveshjet edhe me futbollistët të cilët ishin transferuar vitin e kaluar në ekipin tonë. Jefferson Lopes, Wilber Perez, Ansi Nika, Endrien Magani, Vilson Lila, Kledi Koci, Vilfor Hysa, Shpend Asani dhe Semir Hadzibulic, janë futbollistët të cilët nuk do të vazhdojnë paraqitjet e tyre në klubin e Gjilanit. Klubi i falënderon futbollistët e lartëcekur për kontributin e tyre gjatë këtij udhëtimi të edicionit që e lamë pas dhe ju uron sukses në vazhdimin e karrierës së tyre”, shkruan në njoftim.
Gjithashtu, në postim shkruan se bordi drejtues i skuadrës është në bisedime me pjesën tjetër të futbollistëve nga edicionet e kaluara për vazhdimin e bashkëpunimit edhe për të ardhmen.
“Vlen të theksohet se drejtuesit e klubit po vazhdojnë negociatat edhe me futbollistë të rinj, ku po punohet për afrime të reja në skuadrën e Gjilanit dhe shumë shpejt pritet të ndodhin edhe zyrtarizime të tjera në kampin kuq e bardh”, përfundon njoftimi.