Të dielën mbrëma, stadiumi "Fadil Vokrri" në Prishtinë, do të ndriçohet për të pritur një prej ndeshjeve më të mëdha të këtij edicioni.
Prishtina që para dy ditësh ka shënuar fitoren e parë të stinorit, do të presë Gjilanin që është lider me katër fitore në pesë ndeshje.
Si Prishtina ashtu edhe Gjilani do të kërkojnë fitoret e radhës, por përkrahje do të ketë vetëm skuadra mysafire, shkruan sot Koha Ditore.
Tifogrupi "Skifterat" ka paralajmëruar udhëtim masovik drejt Prishtinës. Sipas udhëheqësve të grupit, janë rezervuar dhjetë autobusë për tifozët e Gjilanit, por do të ketë edhe shumë prej tyre që do të udhëtojnë me automjete private dhe të tillë që jetojnë në kryeqytet. E Prishtina do të ketë tifozët e vet "Plisat" në tribuna, por ata do të jenë të përqendruar për të kërkuar ikjen e kryesisë aktuale të klubit, jo përkrahjen e djemve në fushë.
"Plisat" ka ndeshje që janë vënë hapur kundër kryesisë së klubit Prishtina. Njëjtë ishte edhe në derbin kundër Llapit, kur pas pak minutash lojë hodhën fishekzjarrë në fushë dhe më pas braktisën tribunën lindore në shenjë proteste.
(Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)