Sport

Gjenerata e re e bolidëve të F1 gati për shtegun e Barcelonës

Formula 1 do të ketë një paraqitje të shkurtër të asaj se si mund të duket sezoni 2022 kur gjenerata e re e bolidëve të saj të dalë në pistë në një seancë testimi në Barcelonë, të mërkurën. Do të jetë sesioni i parë parasezonal pas një prej ndryshimeve më të mëdha të rregulloreve në këtë seri, dhe hera e parë që pilotët dhe skuderitë do të kenë një ndjenjë të vërtetë se çfarë duhet të presin në këtë vit. F1 zbatoi ndryshime të mëdha për të përmirësuar garat dhe për t'u përpjekur ta bëjë serinë më konkurruese, me kërkesa të reja aerodinamike dhe gomave që do t'i bëjnë makinat të duken dhe të ndihen ndryshe nga vitet e mëparshme. Ata do të kenë krahë të rinj të pasmë dhe të përparmë, si dhe rrota më të mëdha, për të lejuar drejtuesit të garojnë më afër dhe shpresojnë në rritjen e numrit të parakalimeve. Makinat më të vjetra humbnin forcën dhe me ndryshimet e reja synohet të reduktohet humbja e forcës dhe pilotëve t’u jepen më shumë mundësi për parakalim.

“Çdo vendim që kemi marrë ka qenë për të mos nënvlerësuar sportin, por për ta bërë atë më të arritshëm për më shumë skuderi dhe për të zhvilluar një garë më të ngushtë për të ardhmen, duke e lënë ende atë një meritokraci, që do të thotë se skuderitë më të mira ende fitojnë”, tha shefi i F1, Ross Brawn.

Hera e fundit që F1 iu nënshtrua ndryshimeve drastike të rregullave ishte në vitin 2014, kur filloi epoka turbo-hibride. Në vitin 2017, F1 kishte prezantuar tashmë ndryshimet e dizajnit që i bënë makinat më të gjëra dhe më të shpejta në përpjekje për ta bërë serinë më emocionuese, megjithëse kjo nuk i pengoi “Mercedesin” dhe “Red Bullin” të dominonin.

“Unë sinqerisht nuk mendoj se rregulloret do të ndryshojnë rendin e përgjithshëm të gjërave në mënyrë dramatike. Mendoj se do të kemi një grup më të madh skuderish konkurruese”, shtoi Brawn.

F1 po vjen nga një prej sezoneve të saj më të mira, pasi Max Verstappen dhe Lewis Hamilton luftuan për titull deri në fund, me holandezin Verstappen që fitoi me “Red Bullin” në xhiron e fundit të garës së fundit për t'i dhënë fund dominimit shtatëvjeçar të “Mercedesit” dhe britanikut Hamilton.

“Unë jam optimist për sezonin e ardhshëm. Ekipet e mira do të bëjnë gjithmonë një punë të mirë. Ato kanë ekspertizën dhe përvojën. Edhe pse do të doja ta shihja, nuk mendoj se do të shohim skuadra që dominojnë papritmas këtë vit”, pranoi Brawn.

Për shkak të ndryshimeve të Rregullores, testet parasezonale u ndanë në dy pjesë, me seancat e para që zhvillohen nga e mërkura deri të premten në Barcelonë dhe tri të tjerat të planifikuara për 10-12 mars në Bahrejn përpara fillimit të sezonit më 20 mars.

“Tani me rregulloret e reja duhet të mësoheni me bolidët. Jam shumë kurioz t’i shoh ato në pistë”, shtoi Brawn.

Makinat do të përdorin gjithashtu më shumë karburant dhe karakteristika të reja sigurie. Do të ketë një kufi buxhetor më të ulët për ekipet dhe janë bërë rregullime në fundjavat e garave për të lejuar drejtuesit dhe skuderitë të mbërrijnë më vonë në pista. Të dy seancat stërvitore të premten do të zhvillohen pasdite, do të ketë disa ndryshime edhe në fundjavat e garave, me më shumë pikë të dhëna për fituesin e vendit të tetë dhe më të shpejtin në stërvitjen e së premtes. Do të jetë sezoni më i gjatë në F1 me 23 gara, me Shpërblimin e Madh të Miamit që debuton në muajin maj. Garat në Japoni, Kanada, Australi dhe Singapor janë rikthyer pas braktisjes për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Michael Masi u hoq nga posti i drejtorit të garës si pasojë e përfundimit të diskutueshëm në garën e fundit sezonin e kaluar. Niels Wittich dhe Eduardo Freitas do të veprojnë në mënyrë alternative si drejtorë garash me ndihmën e këshilltarit të lartë të përhershëm Herbie Blash. George Russell u promovua te “Mercedesi” për të zëvendësuar pilotin Valtteri Bottas, i cili do të jetë me “Alfa Romeon” së bashku me Zhou Guanyu, piloti i parë kinez në historinë e F1. Vendi i Russellit në Williams i ka shkuar Alex Albonit, ndërsa kampioni i dyfishtë Fernando Alonso është rikthyer me skuderinë alpine në moshën 40-vjeçare. Alonso është piloti më i vjetër në pistë pas pensionimit të Kimi Raikkonen.