Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha, pritet të mbetet në Serie A, por jo te Lazio, me të cilin ekip ka kontratë deri në vitin 2023.
Mediumet italiane kanë raportuar të mërkurën se gjasat janë të mëdha që Berisha gjatë këtij muaji të transferohet te Genoa, që ka shprehur interesim për shërbimet e tij, shkruan Koha Ditore.
Berisha pritet të largohet nga Lazio, pasi nuk bën pjesë në planet e trajnerit Simone Inzaghi dhe te Genoa shihet përforcim i duhur për mesfushën.
Raportohet se Genoa po e kërkon huazimin e Berishës me të drejtën e blerjes së kartonit të tij në fund të edicionit. Berisha këtë edicion ka vetëm gjashtë paraqitje te Lazio.