Mbrojtësi i krahut të majtë, Jose Gaya dhe qendërmbrojtësi Aymeric Laporte pritet t’i mungojnë Përfaqësueses së Spanjës në ndeshjen kundër Kosovës.
Gaya dhe Laporte ishin titullarë te Spanja, që të dielën mbrëma e mposhti 4:0 Gjeorgjinë por të dy u zëvendësuan për shkak të lëndimeve.
Përderisa, Laporte u zëvendësua pas përfundimit të pjesës së parë ndërsa Gaya në minutën e 74-të.
Laporte doli nga ndeshja për shkak të ngarkesës ndërsa Gaya që shënoi gol ndaj Gjeorgjisë, doli për shkak të lëndimit të këmbës.
“Mendoj se Laporte ka një ngarkesë, ndërsa lëndimi i Gayas nuk duket mirë, por do të presim testet”, është shprehur përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique.
Mungesa e Gayas ndaj Kosovës, do të jetë e madhe për Spanjën për shkak se pjesë e ekipit nuk është as Jordi Alba.
Ndërkohë, Laporte pritet të zëvendësohet nga Inigo Martinezi për ndeshjen ndaj Kosovës që luhet të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe i takon Grupit B kualifikues për Botërorin “Katari 2022”.