Pau Gasoli ka arritur gati çdo gjë në karrierën e tij në basketboll.
Nga udhëheqja e Spanjës drejt disa titujve e deri te një karrierë e suksesshme në NBA, një që përfshin edhe dy tituj kampioni me Los Angeles Lakersin.
Synimi i tij i radhës si sportist është që të marrë pjesë për herë të pestë në Lojërat Olimpike. Për ta bërë këtë ai duhet të rikuperohet plotësisht nga lëndimi i këmbës që e mbajti atë jashtë Botërorit 2019 në Kinë, të cilin e fitoi Spanja.
Ai planifikonte të luante për Spanjën në Lojërat Olimpike në Japoni këtë verë, por shkaku i pandemisë COVID-19, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka vendosur ta shtyjë ngjarjen e madhe për një vit.
“Unë po shpresoja që të kem mjaftueshëm kohë për t’u rikuperuar dhe për t’u kthyer në formën e duhur, për të garuar, si 40-vjeçar, për herë të pestë në Lojërat Olimpike këtë verë”, ka thënë Gasoli në një intervistë për “Olympic Channel”. “Tash do të kem më tepër kohë për t’u rikuperuar, por duhet të luaj në nivel të lartë në mënyrë që të jem i gatshëm për verën e vitit 2021 dhe të jem në gjendje ta ndihmoj vendin tim. Por, e vërteta është se në verën e vitit 2021, do të jem 41-vjeçar, që është mjaft sfidë. Mirëpo, unë jam person që i pëlqen sfidat dhe gjithmonë kam qenë ambicioz. Ende kam dëshirë që të marr pjesë për herë të pestë në Lojërat Olimpike, që potencialisht do të jetë turneu im i fundit”.
Gasoli u shpall basketbollisti më i mirë në Botërorin 2006, ku Spanja doli kampione në Japoni pa pësuar humbje. Ai, po ashtu, ishte më i miri në Eurobasket në vitin 2009 dhe 2015, kur Spanja sërish doli kampione.
Edhe
Gasol emocionohet teksa LA Lakers tërheq fanellën me numrin 16
Në katër paraqitjet e tij në Lojërat Olimpike, Gasoli me Spanjën arriti në çerekfinale në vitin 2004, ndërsa fitoi të argjendtën në vitet 2008 dhe 2012 e të bronztën në vitin 2016.
Mirëpo, Gasoli pos angazhimit në parket, është i njohur edhe për angazhimin për kauza humanitare.
Ai ka qenë ambasador i UNICEF-it në 17 vjetët e fundit, ndërsa në vitin 2013, Pau dhe vëllai i tij Marc, fitues i dyfishtë i Botërorit, themeluan fondacionin Gasol, që ka për qëllim për të promovuar shëndetin në komunitete dhe jetën e shëndetshme.
Pau Gasoli, po ashtu, ka dhënë shembull të mirë duke ndihmuar në betejën kundër COVID-19. Në fund të marsit, ai dhe ylli i tenisit, Rafael Nadal, lansuan kampanjën (Fitorja jonë më e madhe), që ka objektivë për të mbledhur 11 milionë euro për t’i ndihmuar qytetarët në nevojë gjatë pandemisë.
“Punëtorët e shëndetësisë, infermierët dhe mjekët që po punojnë fort tash gjatë kësaj krize të koronavirusit, janë shumë inspirues. Njerëzit që punojnë pa pushim duke rrezikuar veten për të mirën e shoqërisë dhe shteteve të tyre, ata njerëz janë inspirim”, ka thënë qendra.
Ai e di tash se prioritet janë mbijetesa dhe triumfi ndaj COVID-19. Kjo temë e ka vëmendjen e tij. Mirëpo, kur bota të përballojë krizën, ai do të përqendrohet plotësisht në basketboll.
Një përfundim perfekt i karrierës do të ishte medalja e artë me Spanjën në Tokio vitin e ardhshëm.
“Nuk e di nëse ka një gjë të tillë, si fundi perfekt. Qartë, fitimi i medaljes së artë olimpike do të ishte mënyra më e mirë për t’u përshëndetur. Mirëpo, unë kam pasur një karrierë të jashtëzakonshme, pavarësisht nëse do të mund të luaj apo jo”, ka thënë Gasoli.