52 pikë të Ballkanit. 51 të Llapit e 50 të Dritës. Aty afër, me 47 pikë, është Malisheva.
Gara për titull të kampionit të Kosovës në futboll sa shkon e forcohet. Dhe numri i skuadrave të përfshira në një mënyrë po rritet e assesi nuk po zvogëlohet.
Xhiroja e 26-të, përkatësisht barazimet e Ballkanit me Llapin dhe Dritës me Gjilanin, kanë mundësuar që gara të jetë edhe më dramatike dhe që në të, nga plani i dytë, të përfshihet edhe Malisheva.
Por a po zhvillohet gara për titull të kampionit vetëm në fushën e blertë?
Sipas skuadrave të përfshira, jo. Akuzat për ndikime të jashtme sa shkojnë e rriten. Kjo në fakt pritej. Në çdo edicion, kur afron faza finale, akuzat ndaj arbitrave rriten, ndërsa ka edhe dyshime të shumta e të vazhdueshme për kurdisje rezultatesh.
“A po luajmë të gjithë futboll të drejtë në Superligë?”, ka pyetur kampioni dhe lideri, Ballkani, të dielën pasi përfunduan ndeshjet e xhiros së 26-të. Ballkani ka akuzuar se Llapi po favorizohet në garën për titull. Akuzat nuk ia ka drejtuar askujt direkt, por është kuptuar se janë për gjyqtarët. Dhe ndoshta jo vetëm për ata. Ka përmendur “faktorë të tjerë”.
“Po e bëjmë këtë pyetje, sepse veprimet arbitrare pro një skuadre, në dëm të tjerave, tashmë duket se janë kthyer në të zakonshme e kjo nuk mund të lejohet. Ne nuk jemi ankuar dhe nuk ankohemi asnjëherë kur na dëmton rezultati, pasi kundërshtarët na ndalin me futboll. Por assesi nuk mund të heshtim kur na dëmtojnë faktorë të tjerë, jo rivalët në fushë. Një penallti e paqenë e akorduar në Podujevë në favor të Llapit kundër Gjilanit, sikurse një penallti e pastër dje në Suharekë, e paakorduar për ne, po ashtu ndaj Llapit, kanë bërë që këto të kenë ndikim direkt në pikët e grumbulluara në tabelë, duke na dëmtuar në të dy rastet”, ka shkruar tutje klubi suharekas.
Përmes komunikatës Ballkani ka pyetur se kush jep përgjegjësi për gabimet që përcaktojnë ecurinë e kampionatit. Ballkani ka shkruar se nuk lejon dhe nuk duron që të humbë pikë duke u dëmtuar djersa e lojtarëve. Sipas suharekasve, pikët në tabelë nuk paraqesin atë që vërtetë skuadrat kanë shfaqur në fushën e lojës.
“Renditja tabelore në Superligë nuk është nga futbolli i drejtë. Këtë po e shikojnë të gjithë, kjo duhet të ndalet, urgjentisht”, përfundon komunikata e klubit kampion.
Llapi ndërkohë ka pretenduar më herët gjatë javës se po favorizohet pikërisht Ballkani.
Llapi kishte kërkuar në tavolinë pikët nga ndeshja me Malishevën, të cilën e kishte humbur në fushën e gjelbër. Por komisioni përkatës i FFK-së vlerësoi se ankesa e Llapit për aktivizim të padrejtë të një lojtari, nuk ishte bërë në respektim me afatet. Trajneri Tahir Batatina kishte shkruar se Llapit do t’i takojnë tri pikët nga ndeshja me Malishevën.
“Kështu thotë rregullorja, jo Tahir Batatina e Llapi. Nuk ka kritere të dyfishta sepse ligjin e futbollit e bënë rregullorja dhe jo një klub që ka fituar dy tituj kampionit”, kishte shkruar Batatina të premten.
Llapi ka paralajmëruar se do të paraqesë ankesë në shkallën e dytë. Te Llapi thontë se i kanë respektuar të gjitha afatet dhe u takojnë pikët për shkeljen që bëri Malisheva.
Ankesa për ndarje të drejtësisë së fundi ka pasur edhe Prishtina. Edhe të dielën Prishtina pretendoi se është dëmtuar për një penallti në ndeshjen me Fushë Kosovën. Ndeshja përfundoi pa gola.
“Kur do të ngopeni nga turpi?”, shkruan në një postim të Prishtinës, të cilën ia ka bashkangjitur një video të situatës ku dukej që një lojtar i Fushë Kosovës e ndal topin me dorë brenda në zonë.
Në një postim tjetër Prishtina ka akuzuar direkt arbitrin në fushë dhe atë në dhomën e VAR-it.
“Aty janë edhe kujdestarët e përhershëm, gjyqtarët, që do të duhej të ndanin drejtësi e vetëm drejtësi nuk ndajnë. Në minutën e 89-të futbollisti vendas, Kastrati, hap krahun e luan me dorë. Nuk sinjalizon gjyqtari kryesor Ilir Mehmeti, ndërsa sërish flenë VAR-i me gjyqtarin Visar Kastrati”, ka shkruar Prishtina.
Akuza të rënda pas një ndeshje me Llapin, të cilën e ka përmendur Ballkani, ka bërë edhe trajneri i Gjilanit, Gentian Mezani.
Akuzat sa shkojnë e rriten. Mund të pushojnë pak për shkak të pushimit të kampionatit. Por me të rifilluar garat, akuzat do të vazhdojnë. Kështu ndodh çdo edicion dhe ndryshimi nuk pritet.