Përfaqësuesja e Kosovës në futsall (futboll të sallës) e ka luajtur të dielën mbrëma ndeshjen e parë në raundin kryesor (Main Round) të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2024. Në Roterdam, Kosova u përball me Holandën, ndërsa ka pësuar me rezultatin 2:1.
Kosova e Holanda janë pjesë e grupit të 11-të në “Main Round”. E para në grup avancon në raundin elit, ndërsa prej pozitës së dytë sigurohet plejofi apo raundi elit i kualifikimeve. Në grup është edhe Ukraina. Ndeshja në Roterdam është luajtur në sallën e mbushur me shikues.
Golat janë shënuar në gjashtë minutat e fundit. Në minutën e 35-të, Issam Dahmani shënoi për 1:0 në të mirë të Holandës me goditje nga distanca. Ai realizoi pas një goditje nga distanca. Menjëherë në minutën e 36-të, Mohamed Bewn Khalou shënoi pas një kundërsulmi. Ndonëse pranuan dy gola të shpejtë, lojtarët e Kosovës nuk u ndalën.
Kërkuan barazimin, por atë nuk e arritën. Golin e vetëm për Kosovën e shënoi kapiteni Jeton Rukovci. Ai realizoi me një goditje të fortë në minutën e fundit, të 40-të. Kosova kishte shans edhe fare në fund, por portieri i Holandës ndërhyri me sukses. Sipas të dhënave zyrtare, Holanda krijoi 31 raste, ndërsa Kosova i kishte 22. Në kornizë të portës të dy përfaqësueset i dërguan nga dhjetë goditje.
Edhe ndeshjen e dytë Kosova e luan në udhëtim. Më 7 tetor përballet me Ukrainën, ndërsa kjo ndeshje luhet në Salaspils të Letonisë. Më 8 nëntor Kosova e pret Ukrainën, ndërsa më pas e pret edhe Holandën. Në raundin preliminar, Kosova ishte e dytë në grup, pas Armenisë. Kishte fituar 2:0 ndaj Bullgarisë dhe 4:1 ndaj Skocisë. Nga Armenia ka pësuar me rezultatin 2:1, në prill të këtij viti. Ndeshjet ishin luajtur në Bullgari.