Pushtimet e fushave gjatë ndeshjeve të fundjavës në Angli dhe Skoci kanë rritur shqetësimin për sigurinë e lojtarëve dhe është tërhequr vërejtja se mund të përfundojnë me tragjedi nëse nuk merren masa të menjëhershme për t'iu qasur këtij problemi. Federata e Futbollit të Anglisë ka thënë se vija e kuqe është kaluar.
Shefi ekzekutiv i Asociacionit të Futbollistëve Profesionistë të Anglisë (PFA), Gordon Taylor, ka thënë se ka shqetësim të madh ndaj sulmeve qyqare e kriminale ndaj lojtarëve nga spektaktorët që futen në fushën e lojës.
Jack Grealish i Aston Villas u grushtua në fytyrë nga një tifoz në derbin lokal të Kategorisë së Dytë të Anglisë kundër Birmingham Cityt të dielën, ndërsa mbrojtësi i Manchester Unitedit, Chris Smalling u shty nga një tifoz në ndeshjen në udhëtim të dielën kundër Arsenalit.
Në Skoci, kapiteni i Rangersit, James Tavernier, u përball me një tifoz të Hibernianit.
Janë ngritur padi ndaj tre individëve të përfshirë në këto incidente.
Edhe
Dyshohet se Grealish u godit pas derbit të Manchesterit
“Ne kemi pasur një rritje të sjelljeve të tilla këtë stinor. Ka pasur fyerje raciste, antisemitizëm dhe tash kjo është rrezik i vërtetë për sigurinë e lojtarëve”, ka thënë Taylor për “Sky Sport News”, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. “Ne jemi paralajmëruar në shumë raste tash. Duhen organet e futbollit, policia, sigurimi dhe klubet të merren me këtë çështje. Duhet t'i adresohemi kësaj çështjeje. Nëse jo, do të jetë tepër vonë dhe do të ketë tragjedi”.
Federata e Futbollit e Anglisë ka dënuar incidentet e së dielës, duke i quajtur si totalisht të papranueshme.
“Ne do të punojmë me klubet, ligën dhe policinë për të diskutuar se çfarë duhet të bëhet kolektivisht për të mbrojtur lojtarët dhe referët në fushë”, ka shtuar federata në një njoftim.
Federata, po ashtu, i ka shkruar Birmingham Cityt dhe Arsenalit për të dhënë detaje për masat e sigurisë që kishin marrë për ndeshjet. Ministrja e Sportit, Mims Davies, më herët kishte bërë thirrje që autoritetet e futbollit dhe klubet të marrin masa të forta.
“Siguria e lojtarëve është e rëndësisë më të madhe dhe duhet të merret çdo hap i mundshëm për të siguruar që ata të mos rrezikohen”, është thënë në një deklaratë të Mimsit.
Edhe
Lojtarët e Anglisë takohen me policinë pas shqetësimeve për racizëm
Taylor ka përmendur një numër të masave që mund të merren, përfshirë gjobat, marrjen e pikëve dhe luajtjen e ndeshjeve pa tifozë.
Trajneri i Rangersit, Steven Gerrard, ka thënë se ka një shqetësim të madh dhe është i pajtimit se tifozët duhet të luajnë rolin e tyre.
“Tifozët duhet të marrin përgjegjësi dhe të mendojnë para se të bëjnë këto lloj gjërash, pasi nëse vazhdojnë atëherë dikush do të lëndohet keq dhe askush nuk dëshiron të arrijë në atë fazë”, ka thënë Gerrard.
Me rritjen e krimeve me thikë dhe vdekjeve nga plagët duke bërë bujë në Angli, ish-sulmuesi i Anglisë, Alan Shearer, ka frikë nga përshkallëzimi i situatës.
Edhe
Futbolli anglez me dënime më të ashpra në edicionin e ri
“Nëse nuk e shtypim tash, atëherë herën tjetër mund të jetë ndonjë me thikë”, ka paralajmëruar Shearer. “Është shumë serioze. Autoritetet e futbollit duhet të marrin masa të ashpra”.
Disa të tjerë vlerësojnë se dënimi me pikë për klubet mund të shtyjë tifozët që të inkurajohen për aleanca të rrejshme në mënyrë që të sabotojnë skuadrat rivale.