“Pushtimi” i fushave në ndeshjet e futbollit në Angli dhe Uells sezonin e kaluar është rritur për 127 për qind krahasuar me kampanjën e fundit të plotë përpara pandemisë së koronavirusit, sipas statistikave të qeverisë britanike të publikuara të enjten. Të dhënat e ofruara nga “Home Office” - departamenti qeveritar përgjegjës për ligjin dhe rendin - theksuan rritjen e sjelljes antisociale në ndeshje, të cilat autoritetet e futbollit po përpiqen ta luftojnë.
Të mërkurën Premier League njoftoi se tifozët që vrapojnë nëpër fushë gjatë ndeshjeve ose përdorin gjësende si bomba tymuese dhe mjete piroteknike, do të marrin ndalime automatike nga klubet për të paktën një vit. Sipas statistikave të qeverisë, ka pasur 441 ndeshje ku janë raportuar pushtime të terrenit sezonin e kaluar – më shumë se dyfishi i numrit në edicionin 2018/19. Arrestimet në lidhje me futbollin u rritën për 59 për qind, me 2198 persona të arrestuar. Ky është numri më i lartë që nga 2273 arrestimet që u bënë në sezonin 2013/14. Autoritetet lëshuan 516 urdhra të rinj për ndalimin e përcjelljes së ndeshjeve të futbollit në edicionin 2021/22, me 1,308 në fuqi në fund të sezonit.
"Trazira është një problem që nuk është zhdukur”, tha Mark Roberts, kreu i policisë britanike përgjegjëse për futbollin. “Dhe gjatë gjithë sezonit të kaluar ne pamë një rritje të krimit në ndeshjet e futbollit në të gjithë vendin - nga Premier League deri në nivelin e pestë”.
Roberts tha se përdorimi i drogës dhe alkoolit janë faktorët kryesorë prapa sjelljes së çrregullt të tifozëve. Ai vuri në dukje se qeveria po punon për t’i shënjestruar dhe ndaluar të gjithë tifozët e tillë në tentim për të minimizuar dhunën.
Ndër incidentet e trazirave të tifozëve nga sezoni i kaluar është ai kur kapiteni i Sheffield Unitedit, Billy Sharp, u godit me kokë në fytyrë nga një tifoz i Nottingham Forestit në fund të një ndeshjes së plejofit në divizionin e dytë. Tifozi që e bëri këtë veprim ndaj futbollistit u dënua me 24 javë burgim. Trajneri i Crystal Palace, Patrick Vieira, ka goditur një tifoz të Evertonit, i cili po e tallte atë gjatë një pushtimi të fushës në stadiumin “Goodison Park”. Një tifoz i Manchester Cityt, i cili vrapoi në fushë dhe talli portierin e Aston Villas, Robin Olsenin, në ditën e fundit të sezonit në “Etihad Stadium”, mori një urdhër ndalimi për katër vjet. Edhe mbrojtësi i Tottenhamit, anglezi Eric Dier, është i bindur se sjellja e tifozëve është përkeqësuar. Ai shtoi se kjo edhe është arsyeja që familja e tij nuk shkon ta shikojë nga afër në ndeshjet që Tottenhami i luan në udhëtim në kuadër të Premier Leagues.
“Familja ime nuk do të shkonte kurrë në një ndeshje që e luajmë në udhëtim në ditët e sotme për shkak të përkeqësimit të sjelljes së tifozëve. Kjo është një turp i madh për shkak se nuk ndihem mirë kur e di që familja ime nuk është në tribuna në ato ndeshje”, tha Dier, i cili u përfshi në një përballje me një tifoz pas humbjes së Tottenhamit ndaj Norwichit në një ndeshje të FA Cup në muajin mars të vitit 2020.
Dier u ngjit në tribunë pasi tifozi debatoi me vëllain e tij. Dier u dënua me katër ndeshje moslojë për këtë veprim nga Federata e Futbollit të Anglisë dhe u gjobit.
Kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson, tha se familja dhe miqtë e tij janë dekurajuar të shkojnë në ndeshje për shkak të kaosit të turmës që u pa në finalen e Kampionatit Evropian në stadiumin “Wembley” vitin e kaluar dhe në finalen e Ligës së Kampionëve që u mbajt këtë vit në Paris.
“Nuk i fajësoj aspak për këtë vendim, pasi më të vërtetë skenat ishin të pahijshme”, shtoi Henderson.