Sport

Belgjika vendos sanksione të ashpra për t’iu kundërpërgjigjur dhunës së tifozëve

Më shumë se 1800 ndalesa për hyrje në stadiume u fuqizuan në Belgjikë gjatë edicionit të futbollit 2021/22, së bashku me gjoba të mëdha, ndërsa autoritetet u përpoqën të shtypnin dhunën e tifozëve.

Sanksionet “janë një sinjal i qartë se sjellja e keqe nuk ka vend në stadiumet tona të futbollit”, tha të martën ministrja e Brendshme e Belgjikës, Annelies Verlinden. Sanksionet u vendosën nga një “task-forcë” e specializuar në Ministrinë e Brendshme dhe janë pjesë e një goditjeje ndaj dhunës pas incidenteve të përsëritura.

Sipas shifrave të Ministrisë, numri i incidenteve të paraqitura nga Policia gjatë edicionit 2021/22 nuk ishte dukshëm më i lartë se në edicionin 2018/19, përpara shpërthimit të koronavirusit. Por gjobat ishin më të ashpra.

Gjatë edicionit 2021/22, ndalesat e hyrjes në stadiume për tifozët individualë u shtuan në total prej 22,037 muajsh, pothuajse dyfishi i totalit të edicionit 2018/19 prej 11,229 muajsh, tha Ministria. Shuma totale e gjobave gjithashtu u rrit ndjeshëm, nga 540,525 euro në 910,250 euro, si shenjë e kundërpërgjigjes ndaj dhunës së vazhdueshme nëpër stadiumet e futbollit.

Megjithatë, duket se kjo nuk ka pasur shumë efekt pasi dhuna e tifozëve në stadiumet belge ka vazhduar edhe këtë sezon, saktësisht në muajt e fundit. Në nëntor të vitit të shkuar, ministrja Verlinden u takua me zyrtarët e ligës dhe klubeve për t'ua paraqitur atyre detajet e një projektligji që synon reduktimin e incidenteve. Takimi u zhvillua menjëherë pasi një ndeshje e elitës së futbollit belg midis Charleroit dhe Mechelenit u ndërpre. Tifozët e Charleroit hodhën fishekzjarrë në fushë. Në tetor, ndeshja “Classico” mes Standard Lieget dhe Anderlechtit u shoqërua gjithashtu nga çrregullimi i tifozëve dhe u desh të anulohej pas 63 minutash. Qeveria belge dëshiron të forcojë qasjen nëpër stadiume për të mbajtur larg individët e dhunshëm. Përveç kësaj, sipas një ligji të ri që duhet të miratohet nga Parlamenti federal, klubet do të ndëshkohen më ashpër nëse, për shembull, nuk respektojnë rregulloret për shitjen e biletave ose nëse nuk marrin masa të mjaftueshme paraprake për të ndaluar përdorimin e fishekzjarrëve në stadium. Vepra të tilla si dhuna fizike, racizmi ose përdorimi i fishekzjarrëve do të dënohen me ndalime të stadiumeve deri në 10 vjet, në vend të pesë vjetëve sa ishte deri më tani. Dhe, për t'u siguruar që individët që u nënshtrohen ndalimeve nuk lejohen në ambiente, personat e sigurimit dhe agjentët që punojnë për kompanitë private të sigurisë do të jenë në gjendje të kontrollojnë nëse identiteti i një tifozi përputhet me emrin e shkruar në biletë.

Ministria e Brendshme tha se filloi këtë sezon një inspektim të stadiumeve për të kontrolluar efikasitetin e sistemeve të mbikëqyrjes nëpërmjet video-xhirimeve, pasi klubet profesionale të futbollit tashmë kanë instaluar kamerat nëpër stadiume.

“Të 30 klubet profesionale u audituan brenda tre muajve”, tha Ministria nëpërmjet një komunikate të lëshuar. “U gjetën mangësi në tetë klube dhe pas rekomandimeve që ua kemi bërë, shpresojmë që ato të reagojnë dhe mos të ndëshkohen për shkak të dhunës së tifozëve në stadiume”.