Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

UEFA vendos për ndeshjen Belgjikë – Suedi

UEFA njoftoi të enjten se rezultati i ndeshjes kualifikuese për “Euro 2024” mes Belgjikës dhe Suedisë, e cila u ndërpre të hënën pasi dy tifozë suedezë u vranë, do të mbetet në fuqi. Ndeshja u ndërpre pas pjesës së parë, ku rezultati ishte 1:1. Si federata belge ashtu edhe ajo suedeze kishin kërkuar nga UEFA që ndeshja të regjistrohej me atë rezultat.

“Federata e Futbollit të Belgjikës dhe ajo e Suedisë, janë të kënaqura me vendimin e UEFA-s”, ka shkruar federata belge në njoftimin e saj.

Ndërkohë, UEFA tha se “rezultati i kësaj ndeshje nuk ndikon në kualifikimin e Grupit F”. Belgjika tashmë ishte kualifikuar për turneun që do të mbahej në Gjermani vitin e ardhshëm përpara se të përballej me Suedinë. Belgjika kryeson grupin përpara Austrisë, e cila gjithashtu ka vulosur kualifikimin në “Euro 2024”.

“Futbolli duhet të jetë një festë, por të hënën në mbrëmje një veprim frikacak vendosi ndryshe. Në një moment të tillë, kur familja e futbollit goditet në zemër, rezultatet sportive janë dytësore”, tha Manu Leroy, kreu i përkohshëm i federatës belge.

Hetuesit janë ende duke u përpjekur për të përcaktuar motivin e sulmit të së hënës mbrëma, i cili ndodhi jo shumë larg stadiumit “King Baudouin” ku u zhvillua ndeshja e Grupit F kualifikues. Autoritetet në kryeqytetin belg qëlluan dhe vranë të dyshuarin të martën, disa orë pasi thonë se ai sulmoi tre tifozë suedezë, duke vrarë dy prej tyre. Ai postoi një video në internet në të cilën krenohej për sulmin.

“Ne jemi të kënaqur të dëgjojmë se UEFA ka marrë një vendim dhe se vendimi është në përputhje me atë që dëshironin të dy federatat”, tha Hakan Sjostrand, kryetari i federatës suedeze. “Megjithatë, çështjet sportive janë dytësore, mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre. Fakti që mbështetësit e pafajshëm suedezë u bënë objektiva të terrorizmit është tronditëse dhe është e vështirë të parashikohet se cilat do të jenë pasojat për të ardhmen”.

Një moment heshtjeje do të mbahet në ndeshjet në Belgjikë dhe Suedi si nderim për dy tifozët e vdekur.

Liga belge tha se “ditën e ardhshme të gjitha ndeshjet do të fillojnë me një minutë heshtje në nderim të dy tifozëve suedezë të futbollit që humbën jetën në sulmin terrorist në Bruksel". "Kjo minutë heshtje do të mbahet si në fushën e futbollit belg ashtu edhe në atë suedez”, thotë liga belge. 

Artikuj të ngjashëm