Lindon Selahi është prej emrave më aktualë në futbollin e Kroacisë. Selahi 24-vjeçar është futbollist i Rijekës, por po kërkohet nga dy skuadrat më të mëdha kroate, Hajduku i Splitit dhe Dinamo e Zagrebit. Reprezentuesi i kohëpaskohshëm i Shqipërisë duket se është i interesuar të largohet dhe tashmë po i dalin telashe te Rijeka.
Së fundi trajneri i Rijekës, Zhelko Sopiq, e ka larguar nga skuadra. Sopiq ka bërë të ditur të premten se nuk llogarit në futbollistin shqiptar për ndeshjen e së dielës me Slaven Belupon.
“Zotëri Selahi do të jetë në tribunë. Në Kroaci është demokraci dhe çdokush ka të drejtë të zgjedhë çfarë të dojë. Por, aq sa kam luftuar unë për atë djalosh, nuk do të luftojë as për të birin tim. Por vjen një moment kur disa gjëra duhet të kalohen”, ka thënë Sopiq, shkruan “index.hr”.
Mesfushori Selahi ka kontratë me Rijekën vetëm deri në verën e vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se ai nga janari ka të drejtë të negociojë me klube të tjera, ndërsa verën e ardhshme do të largohet pa dëmshpërblim.
Selahi, që ka edhe pasaportë të Belgjikës, është i interesuar për hapin para në karrierë. Te Rijeka nuk dëshirojnë ta humbim falas Selahin dhe i kanë ofruar kontratë të re. Por jo sipas asaj që kërkon futbollisti. Selahi është shumë i rëndësishëm për Rijekën, por drejtuesit e klubit nuk dëshirojnë të ndërtojnë skuadrën rreth një lojtari që në verë do të largohet pa dëmshpërblim. Kështu që gjasat janë të mëdha që ai të largohet që në dimër dhe kështu Rijeka të përfitojë diçka prej tij.
“Mendoj që në këtë situatë më së shumti do të vuajë vetë lojtari. Pastaj unë si trajner dhe në fund klubi. Por ai ishte i vetëdijshëm se çka sjell vendimi për mosvazhdim të kontratës. Mori vendimin e tij. Është legjitime. Edhe klubi mori vendimin e tij, po ashtu legjitim. Shpresoj që vendimi i lojtarit të ndryshojë, por si qëndrojnë sot gjërat... Nuk e di nëse do të ndryshojë diçka”, ka shtuar Sopiq.
Ai ka konfirmuar se klubi e Selahi nuk janë marrë vesh, ndonëse negociatat po zhvillohen tashmë tre muaj.
Pos nga Hajduku e Dinamo, Selahi ka oferta edhe nga liga MLS e SHBA-së.
Selahi ka luajtur për U16 të Belgjikës. Më pas kaloi te Shqipëria dhe luajti për U21. Për Kombëtaren A i ka katër ndeshje.
Së fundi është ftuar në mars të këtij viti. Ndërkohë paraqitjen e fundit e ka më 18 nëntor të vitit 2020.
Në 14 paraqitje të këtij edicioni në elitën kroate, Selahi i ka dy gola. Por shquhet për lojën që shfaq. Në Kroaci vlerësohet lart.
Selahi ka luajtur për Standard Liegen në Belgjikë, Twenten e Willem II në Holandë, ndërsa te Rijeka është prej verës së vitit 2021. Selahi është me prejardhje nga Kumanova.
Rijeka e mori falas, ndërsa tani synon të përfitojë shumë të majme prej tij. Por Selahi ka ide të tjera.