Ardijan Rudoviq mohon t’i ketë luajtur dy ndeshje për klubin e futbollit Liria e Prizrenit në vitin 2018, ashtu siç figuron në faqen e njohur “Transfermarkt” me seli në Gjermani. “Transfermarkt” njihet për informacione të besueshme, e po ashtu edhe për saktësi të statistikave. Por për Rudoviqin është bërë një gabim. Kështu të paktën thotë Rudoviqi. Megjithatë, futbollisti shqiptar që të mërkurën është ftuar nga përfaqësuesja e Malit të Zi, pranon se ka qenë për disa ditë pjesë e Lirisë së Prizrenit. Madje, në dy periudha – 2018 dhe 2020. Herën e parë ishte për shtatë ditë, kurse të dytën vetëm një ditë. Në të dy rastet thotë se nuk ka rënë dakord të vazhdojë me skuadrën nga Prizreni. Liria në vitin 2018 ishte pjesë e Superligës, kurse në vitin 2020 garoi në Ligën e Parë, kategori ku do të garojë edhe sezonin e ri.
“Ajo që është paraqitur në ‘transfermakt’ është totalisht e gabuar. Nuk e di si ka përfunduar ashtu. Nuk kam luajtur asnjëherë për Lirinë e Prizrenit. Kam qenë te Liria, por nuk kemi rënë dakord. Kam qenë për shtatë ditë te Liria, sa ishte trajner një italian që kishte marrë shumë lojtarë nga jashtë dhe që ishte mbushur numri për lojtarë të huaj. Por me një fjalë ne nuk ramë dakord dhe u largova, ndërsa po kam qenë edhe në janar të vitit të kaluar, por kam qëndruar vetëm një ditë. Kam biseduar me krerët e klubit, por nuk u pajtuam, sepse Liria sezonin e kaluar ishte pjesë e Kategorisë së Dytë të Kosovës, ndërsa planet e mia ishin më të mëdha”, ka thënë Rudoviq të mërkurën për KOHËN.
Lidhje tjetër me Kosovën qendërmbrojtësi shqiptar thotë se nuk ka, por tregon se ka marrë disa oferta nga klubet elitare të Kosovës pas paraqitjeve të mira me klubin shqiptar të Tuzit, KF Deçiqi.
“Kam pasur dhe kam oferta nga klubet e Kosovës, por do ta shohim pas përfundimit të këtij sezoni, ku të dielën kemi ndeshjen finale të Kupës. Por nuk besoj se do të jetë Kosova destinacioni im i radhës. Si çdo lojtar edhe unë kam dëshirë dhe synim të luaj në ndonjë klub të Evropës. Kam disa kontakte, por ende asgjë konkrete”, ka theksuar Rudoviq.
Rudoviq në profilin e tij në Facebook mban dy mbiemrat: Rudaj dhe Rudoviq. Rudaj thotë se kanë pasur të parët e tij. Rudoviq me Deçiqin do të garojnë në Ligën e Konferencës sezonin tjetër, ndërsa këtë sezon është edhe në finale të Kupës së Malit të Zi. Të dielën, përballet me Buduçnostin, skuadrën më të suksesshme në Mal të Zi.
“Ka qenë një sezon i shkëlqyer dhe historik për ne, edhe pse në fillim të këtij edicioni synimi ynë ka qenë mbijetesa, por ne arritëm ta sigurojmë Evropën dhe tash të dielën do të përballemi me ekipin më të madh të Malit të Zi, Buduçnostin. E dimë kualitetin e tyre, por ne besojmë në cilësitë tona dhe besoj mund t’ia dalim të arrijmë sukses”, është shprehur Rudoviq.
Rudoviq nuk do të jetë shqiptari i vetëm i ftuar te Mali i Zi për miqësoret e muajit të ardhshëm, atë kundër Bosnjë-Hercegovinës dhe Izraelit. Pjesë e ekipit përfaqësues të Malit të Zi janë edhe bashkëlojtari i tij te Deçiqi, Kristijan Vulaj, pastaj Fatos Beqiraj e Sead Hakshabanoviq. Rudoviq pranon se nuk e ka pritur ftesën te Mali i Zi, por thekson se e ka merituar në bazë të paraqitjeve me ekipin e tij.
“Të them të drejtën nuk e kam pritur. Rezultatet e klubit dhe paraqitjet e mia kanë qenë të mira, por nuk e kam ditur se do të jem pjesë e Malit të Zi. Sot, pas stërvitjes e kam parë emrin tim në listën e Malit të Zi. U befasova, por isha edhe i lumtur shumë. Ishin emocione të mëdha, pasi të luaj për përfaqësuesen e Malit të Zi është ndjenjë speciale dhe e veçantë. Janë edhe Kristijan, Seadi dhe Fatosi. Numri i lojtarëve shqiptarë po rritet te Mali i Zi dhe këtë e vlerësoj shumë, sepse është mirë kur vlerësohemi nga përzgjedhësi dhe Federata e Futbollit e Malit të Zi për punën që e kemi bërë. Më vjen mirë që jam përzgjedhur në mesin e të gjithë lojtarëve potencialë për të qenë pjesë e përfaqësueses së Malit të Zi. Do ta jap maksimumin nëse do ta kem rastin të luaj në njërën prej dy ndeshjeve të muajit të ardhshëm”, ka thënë Rudoviq.