Klubi i madh turk Beshiktashi është raportuar të mërkurën se po e kërkon portierin e Prishtinës Visar Bekaj për sezonin e ri. Ndërsa, një ditë më herët, mediumet turke bënë të ditur se Beshiktashi së bashku me Galatasarayn kanë shprehur interesim për ta transferuar sulmuesin e Ballkanit, Blend Baftiu.
Mirëpo, dy futbollistët e elitës së futbollit kosovar nuk janë të vetmit që janë vënë në shënjestër të klubeve elitare turke për sezonin 2020/21. Më herët, është shkruar se edhe Arbër Hoxha e Jetmir Topalli (Ballkani) dhe Arb Manaj (Trepça ’89) po kërkohen në Turqi. Për Hoxhën ishte raportuar se po e kërkon Alanyaspor derisa për Manajn janë në garë Denizlispor e Goztepe. Për interesimin e Beshiktashit, për portierin e tretë të Kosovës, Bekaj, ka shkruar sajti “Fanatik”.
Krahas ekipit turk, portierin 23-vjeçar po e kërkojnë edhe Hoffenheimi e Hamburgu. Ndërkohë, i njëjti medium turk raportoi edhe për Baftiun 22-vjeçar, që ka pasur një stinor fantastik me 19 gola në kampionat, duke u shpallur golashënuesi më i mirë. Vetë futbollistët nuk kanë dashur të flasin apo komentojnë rreth emrave të skuadrave, por kanë konfirmuar se ka interesim edhe nga Turqia. Madje, në një intervistë të mëhershme dhënë KOHËS, trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi kishte thënë se treshja Baftiu-Topalli-Hoxha pritet të mos paraqiten në Superligën e Kosovës për edicionin 2020/2021. Se mund të jetë i fundit ky edicion, që përfundoi në fundjavën e shkuar, e ka pranuar edhe Manaj i Trepçës ’89.
Për sulmuesin nga Klina, pos klubeve turke, interesim është raportuar se kanë shprehur edhe skuadra nga Suedia, Zvicra e Sllovenia pas 18 golave të shënuar në elitën e futbollit të Kosovës. Manaj ka thënë se lojtarëve të Superligës kosovare u ka hapur rrugë për t’u transferuar në Turqi sulmuesi i Fenerbahçes, Vedat Muriqi, që më herët ka luajtur te Liria.
“Oferta kam pasur nga shtetet si Zvicra, Suedia, Sllovenia, por edhe nga Turqia, kjo pasi që edhe sulmuesi Vedat Muriqi po na promovon jashtëzakonisht shumë në ligën e Turqisë. Nuk kemi vendosur ende dhe nuk e di se ku do të jem në sezonin e ri”, është shprehur Manaj për KOHËN.
Edhe më herët ka pasur raportime të ndryshme për futbollistë të Kosovës që po kërkohen jashtë kufijve, por që nuk ka pasur diçka konkrete. E trajneri Arsim Prepolli pret që kjo verë të jetë e bereqetshme sa i përket transferimit të lojtarëve nga Superliga e Kosovës drejt vendeve të tjera të Evropës.
“Më bëhet qejfi nëse ka interesim, por duhet të dimë se sa janë serioze, sepse çdo vit po flitet, pastaj asnjë transferim nuk po bëhet. Duhet të kemi oferta me shkrim për të qenë më serioze. Por, them sërish se më gëzon fakti nëse ka oferta për lojtarët tanë dhe duhet të menaxhohen mirë, sepse për këta gjashtë muaj sa kam qenë i përfshirë në klub, jam dëshpëruar seriozisht për gjendjen e udhëheqjes nga klubet tona.
Në klube duhet goxha punë që futbollistët të kenë një të ardhme të ndritur”, ka thënë Prepolli, që si lojtar në të kaluarën ka bërë karrierë edhe në disa klube në Evropë.