Futbollistet e Kosovës U-19 kanë shënuar fitore ndaj Turqisë me rezultatin 3:2, në ndeshjen miqësore që u zhvillua të martën. Ishte kjo ndeshja e dytë e zhvilluar në kampion stërvitor të Turqisë. Të tria golat i shënoi Loreta Lulaj.
Të parat në epërsi kaluan vendaset me golin e shënuar nga Berivan Içen (21’). Shifrat i barazoi Loreta Lulaj (50’). Pesë minuta më vonë turket sërish kaluan në epërsi me golin e dyshimtë të realizuar nga Tulin Kyjucak. Megjithatë, më pas në skenë sërish doli Loreta Lulaj, e cila realizoi dy gola tjerë, në minutat 74’ dhe 76’ për t’ia siguruar Kosovës fitoren në miqësore.
Pas ndeshjes përzgjedhësi Kushtrim Munishi u shpreh tejet i lumtur me paraqitjen e ekipit dhe i përgëzoi vajzat për lojën e treguar.
“Në ndeshjen e sotme treguam se humbja në ndeshjen e parë me rezultat 3:0 nuk ishte pasqyrë reale. E kemi ditur se kemi ekip më të mirë dhe me lojën e sotme e vërtetuam një gjë të tillë. Përkundër presionit të vazhdueshëm të ekipit rival mbi gjyqtarët, ne arritëm t’i gëzohemi fitores. Goli i dytë i Turqisë u shënua me dorë, por gjyqtari e pranoi pasi kishte presion të madh gjatë tërë ndeshjes. Gjithsesi, vajzat tona kanë dëshmuar nivel të lartë dhe kanë luajtur me mençuri. I përgëzoj për këtë paraqitje dinjitoze dhe për fitoren e arritur. Në ndeshjet kualifikuese në tetor pres të kemi paraqitje edhe më të mira, ngase kemi kohë për t’u përgatitur”, ka thënë Munishi.