Sport

Futbolli mund të humbë “klube dhe liga”

Futbolli i Anglisë përballet me rrezikun për të humbur klube dhe liga, ka thënë kryetari i Federatës së Futbollit të Anglisë, Greg Clarke.

Futbolli në Angli është pezulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe nuk ka një datë se kur mund të vazhdojnë garat.

Disa klube kanë dërguar në pushim të përkohshëm një pjesë të punëtorëve, ndërsa po vazhdojnë negociatat për paga të lojtarëve.

“Shumë komunitete mund të humbin klubet e zemrës, me pak gjasa për ringjalljen e tyre”, ka thënë Clarke.

Ai ka folur në Këshillin e Federatës.

“Përballë kësaj fatkeqësie të pashembullt, të gjitha palët e interesit si lojtarët, tifozët, klubet, pronarët e administratorët duhet të aktivizohen dhe të ndajnë dhimbjen në tentim për të mbajtur lojën gjallë. Është koha që palët e interesit të bien dakord për kauzën e përbashkët, për të shpëtuar lojën tonë”.

Premier League ka propozuar ulje të pagave të lojtarëve për 30 për qind. Klubet do të bëjnë negociata me lojtarët e tyre për uljen eventuale të pagave.

Të hënën përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate ka thënë se do të marrë pagë 30 për qind më të vogël.

Shefi Ekzekutiv i Federatës angleze, Mark Bullingham ka thënë se ndikimi financiar i shtyrjes së ndeshjeve, mund të jetë deri në 150 milionë funte (170 milionë euro).

“Ne jemi të përkushtuar që të përfundojmë edicionin në futbollin profesional, pasi kjo zgjidh çështjet e promovimit dhe rënies. Po ashtu titujt i fitojnë skuadrat meritore. Por ne mund të mos jemi në gjendje të përfundojnë stinorin pasi futbolli nuk është prioriteti ynë. Jeta e njerëzve është prioritet. Ne do të bëjmë atë që thotë qeveria, varësisht nga shtrirja e pandemisë. Pandemia do të pasohet nga pasojat ekonomike dhe i gjithë sektori i biznesit do të vuajë. Ne përballemi me rrezikun për të humbur klube dhe liga nëse financat kolapsojnë”, ka theksuar Clarke.