Një tjetër afat kalimtar i shpenzimeve rekorde në Premier League ka çuar në më shumë “kërkime shpirtërore” nëpër Evropë, pasi klubet në kontinent nuk janë në gjendje të ndalojnë shkuarjen e talenteve në Angli. Chelsea ka vjedhur shumicën e ballinave me blerjen mahnitëse të mesfushorit argjentinas Enzo Fernandez nga Benfica për një rekord britanik prej 121 milionë eurosh.
Por ai ishte vetëm një nga shtatë lojtarët që u transferuan në “Stamford Bridge” nga klube diku tjetër në Evropë, dhe Chelsea nuk ishte i vetmi ekip anglez që shpenzoi shumë. Nga 20 transferimet më të mira të janarit sipas faqes së specializuar “Transfermarkt”, vetëm dy nuk përfshinin klube të Premier Leagues - njëri ishte Marseille që shiti mesfushorin brazilian Gerson përsëri te Flamengo dhe tjetri ishte mesfushori Vitinha, që u transferua tek ekipi francez nga Braga për 32 milionë euro.
Nuk kishte asnjë lëvizje të madhe që përfshinte asnjë nga fuqitë e kontinentit, madje as Paris Saint-Germaini – i cili dështoi në një përpjekje për të huazuar Hakim Ziyechun nga Chelsea. Shpenzimet e skuadrës londineze nën konsorciumin e pronarit të ri amerikan Todd Boehly u ndoqën veçanërisht nga Borussia Dortmundi, ekip që do të jetë kundërshtari i Chelseat në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve këtë muaj.
“Ka bërë shumë transferime dhe duket ekip shumë i egër. Duhet ta pranojmë këtë dhe Chelsea në janar ka krijuar garën e saj sa u përket përforcimeve”, ka thënë drejtori sportiv i Dortmundit, Sebastian Kehl.
Dominimi financiar i Premier Leagues ushqehet nga të ardhurat e televizionit vendës dhe ndërkombëtar, të cilat janë shumë më të larta se në ndonjë nga të ashtuquajturat “Pesë ligat” e tjera evropiane, në Spanjë, Itali, Gjermani dhe Francë. Njëmbëdhjetë nga 20 klubet më të mira me të ardhurat më të mëdha në botë vitin e kaluar ishin nga Premier League. Pjesa tjetër tani lufton për të vazhduar garën, dhe La Liga ka akuzuar gjithashtu skuadrat e Premier Leagues se janë “dopinguar” për shkak të aksionarëve tejet të pasur që investojnë para shtesë për t'i shpenzuar më pas për lojtarë të rinj.
“Në thelb, ata po ‘dopingojnë’ klubin. Ata po injektojnë para që nuk gjenerohen nga klubi, për t'i shpenzuar, gjë që e vë në rrezik qëndrueshmërinë e klubit nëse aksionari largohet”, pohoi Javier Gomez, drejtor i përgjithshëm i korporatës së La Ligës duke mbrojtur rregullat e tyre të rrepta financiare brenda elitës së Spanjës. “Për mendimin tonë kjo është mashtrim, sepse zvarrit pjesën tjetër të ligave”.
Gomez tha se La Liga do të vazhdojë të kërkojë që rregullat e reja financiare të zbatohen nga UEFA, rregulloret e së cilës për ferplejin financiar nuk kanë qenë në gjendje të ndalojnë polarizimin në rritje në futbollin evropian të nivelit të lartë. Të tjerë kanë theksuar fuqinë në rritje të shpenzimeve të klubeve më modeste angleze. Bournemouthi, i cili nuk kishte luajtur kurrë në ligën më të mirë të Anglisë para vitit 2015 dhe stadiumi i të cilit ka një kapacitet pak më shumë se 11.000******* ka shpenzuar në afatin e dimrit. Në janar, Bornemouthi transferoi Dango Ouattaran nga skuadra franceze Lorient në një marrëveshje 27 milionë euro dhe më pas shtoi Illia Zabarnyi, një talent të jashtëzakonshëm te Dynamo Kyivit, për një tarifë të ngjashme. Megjithatë, këto nuk ishin transferimet e vetme të Bournemouthit.
Edhe
Klubet e Premier Leagues thyejnë rekordin për shpenzime në transferime
“Ndërsa Evropa është duke pyetur veten për rreziqet e Superligës, ne duhet të pranojmë se tashmë ekziston një Superligë dhe ajo vendos rregullat”, shkroi “Corriere dello Sport” e Italisë. “Forca e vërtetë e Premier Leagues është kapaciteti shpenzues i klubeve të vogla: Bournemouth, i cili po lufton për mbijetesë, ka burimet dhe guximin për të kërkuar nga Roma lojtarin Nicolo Zaniolo përpara se të trokasë në derën e Sassuolos për Hamed Traoren dhe shpenzimin e 30 milionë eurosh”.
Pra, a ka ende shpresë për klubet e pjesës tjetër të Evropës? Ato do të vazhdojnë të prodhojnë më shumë lojtarë të shquar dhe nuk ka asnjë garanci që skuadrat e Premier Leagues do të fshijnë trofetë evropianë këtë sezon. Në fund të fundit, ato nuk fituan asnjë vitin e kaluar, kur Real Madridi mposhti Liverpoolin në finalen e Ligës së Kampionëve.
“Unë nuk mendoj se kjo do t'i japë fund konkurrencës së garave evropiane”, këmbënguli trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti. “Vitin e kaluar Liga e Kampionëve nuk u fitua nga një ekip anglez, as Liga e Evropës, por është e vërtetë që nga brenda Premier League do të jetë më konkurruese dhe argëtuese”.