Sport

Futbolli do të rifillojë në Britani pas pauzës për shkak të vdekjes së Mbretëreshës

Londër, 12 shtator (AP) - Futbolli do të fillojë në Britani pas pushimit gjatë fundjavës si shenjë respekti pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II. Ndeshjet e kategorive të ulëta do të kthehen në normalitet këtë javë.

Premier League nuk ka konfirmuar ende se kur do të vazhdojë, me çështje logjistike që ka të ngjarë të paraqiten përpara funeralit shtetëror në Londër, më 19 shtator. Liga angleze e futbollit (EFL) - e cila drejton tri divizionet nën Premier Leagues - tha se homazhe do t'i bëhen Mbretëreshës në terrenet në të gjithë vendin kur ndeshjet në Championship dhe në League One e League Two të rifillojnë nga e marta. Një minutë heshtje do të mbahet para ndeshjeve, lojtarët do të mbajnë shirita të zinj, flamujt do të ulen në gjysmështizë dhe himni do të lëshohet në stadiume.

“Me një plan kombëtar policie tani në veprim”, tha EFL, duke iu referuar ditëve para funeralit, kur arkivoli i Mbretëreshës do të qëndrojë në Londër, “Liga dhe klubet do të vazhdojnë të punojnë për çdo sfidë që mund të shfaqet në lidhje me orarin e ndeshjeve specifike”.

EFL tha se do të shqyrtojë “rast pas rasti”. Loja në ligat joprofesionale filloi të hënën, me futbollin që është ndalur plotësisht nga e premtja të dielën nga ligat profesionale e deri në nivelin më të ulët. Një ndeshje e Premier Leagues mes Leeds Unitedit dhe Nottingham Forestit, e planifikuar për të hënën mbrëma, mbetet e pezulluar.

Shumica e sporteve rifilluan në Britani gjatë fundjavës pas një mbylljeje të përgjithshme të premten, një ditë pasi mbretëresha vdiq në moshën 96-vjeçare.

Disa skuadra të Premier Leagues do të rikthehen në aksion në garat evropiane prej të martës deri të enjten - Manchester City, Liverpooli dhe Tottenhami në Ligën e Kampionëve, Manchester Unitedi në Ligën e Evropës dhe West Ham Unitedi në Ligën e Konferencës - përpara ndeshjeve të planifikuara të ligës të premten, të shtunën dhe të dielën.

Liverpooli e pret Ajaxin të martën dhe Manchester City luan në shtëpi kundër Borussia Dortmund të mërkurën. Ndeshjet që do të zhvillohen në Londër duket se janë më të rrezikuara për shkak të operacionit të gjerë të sigurisë që shoqëron funeralin e mbretëreshës.

Programi i Premier Leagues parasheh që Tottenhami e pret Leicester Cityn të shtunën, ndërsa Brentfordi luan me Arsenalin dhe Chelsea përballet me Liverpoolin të dielën.

Ndeshja në shtëpi e Arsenalit në kuadër të Ligës së Evropës kundër PSV Eindhovenit të enjten në Londër, u shty nga UEFA për shkak të “kufizimeve të rënda në burimet e policisë dhe çështjet organizative”. UEFA dhe Arsenali përballen me sfida në riprogramimin e ndeshjes mes bllokimit të shkaktuar nga Kupa e Botës që luhet në nëntor dhe dhjetor në Katar. Arsenali nuk ka data të lira në mesjavë përpara se grupet e Ligës së Evropës të përfundojnë më 3 nëntor, ndërsa shorti i 1/16 së finales është planifikuar për 7 nëntor.

“Ndeshja jonë në shtëpi kundër PSV Eindhovenit në kuadër të Ligës së Evropës, e planifikuar për të enjten më 15 shtator, është shtyrë. Shtyrja vjen pas marrëveshjes mes UEFA-s, Policisë Metropolitane dhe klubit tonë, pas vdekjes së Madhërisë së saj, Mbretëreshës Elizabeth II”, thuhet në njoftimin e Arsenalit. “Ne po punojmë me autoritetet për të caktuar një datë tjetër për ndeshjen dhe do t’ju njoftojmë me kohë”.

Në Skoci ndeshja e Ligës së Kampionëve midis Rangersit dhe Napolit në Glasgow, e planifikuar për të martën, tashmë është shtyrë për një ditë për shkak të problemeve të policisë. Ky duel do të luhet të mërkurën prej orës 21:00 dhe i takon Grupit A të Ligës së Kampionëve.