Kampioni i botës në peshën e rëndë në boks, Tyson Fury, ka thënë se javën e ardhshme do ta bëjë të ditur kundërshtarin e tij të radhës, por ai e ka konfirmuar se nuk do të jetë Oleksandr Usyk, raporton BBC.
Fury 34-vjeçar, që mban titullin e botës në versionin WBC, vendosi të tërhiqej nga boksi pas fitores ndaj Dillian Whytet në prill të këtij viti.
Ukrainasi Usyk muajin e kaluar mbrojti titujt në versionet tjera të mëdha WBO, IBF dhe WBA.
Një meç mes Furyt dhe Usykut për unifikimin e të gjithë titujve të mëdhenj në peshën e rëndë, është paralajmëruar. Por, Fury ka thënë se do ta ketë një kundërshtar tjetër fillimisht.
“Papritmas Oleksandr Usyk tha se nuk dëshiron të boksojë më – se dëshiron të boksojë vitin e ardhshëm jo këtë vit. Unë nuk do të pres për askënd dhe do të bëjë publik meçin e radhës javën e ardhshme”, ka thënë Fury në konferencë për media të shtunën mbrëma.