Sport

Fundi i turpshëm i kampionatit

Altik Muhaxhiri ka përvojë të gjatë në futbollin kosovar. Ka luajtur për skuadra të ndryshme, ndërsa ka disa vjet që është pjesë e Dukagjinit të Klinës. E diela është dashur të jetë ditë e qetë për Muhaxhirin. Ai ishte vetëm rezervist në ndeshjen Ferizaj – Dukagjini, që pak a shumë është ditur se kujt do t’i takojë. Por në fund Muhaxhiri ishte protagonisti kryesor. Protagonist për të keq. Dhe pjesë e një turpi të madh po ashtu. Turpi që shënoi fundin e edicionit 2022/23 në Superligën e Kosovës në futboll. Ai episod me shumë gjasë do ta shënojë edhe karrierën e Muhaxhirit.

Luhej minuta e 105-të e ndeshjes Ferizaj – Dukagjini. Rezultati ishte 1:1 dhe Ferizajt i duhej fitorja për të shmangur rënien nga Superliga. Ishte çështje kohe para se Ferizaj të shënonte golin e fitores. Kjo ishte e qartë për të gjithë. Pas një krosimi të papenguar, topi në zonë erdhi tek Astrit Fazliu, që po ashtu ishte i papenguar, ndonëse kishte pranë lojtarë të Dukagjinit. Fazliu goditi topin me kokë, ndërsa topi po shkonte drejt trupit të Muhaxhirit. Portieri i Dukagjinit, që ishte aktivizuar pak më herët në vend të Kenan Haxhihamzës, u shmang për të mos u goditur nga topi, që natyrisht përfundoi në rrjetë. Veprimi i Muhaxhirit, duke u tërhequr prapa me trup, ka bërë bujë natyrisht. Dhe nuk do të harrohet gjatë.

Përshkruan më së miri gjendjen në të cilën futbolli kosovar është për kohë të gjatë, i goditur nga kurdisjet e parregullsitë.

Ferizaj, falë atij goli të Fazliut në minutën e 105-të, fitoi 2:1 dhe përfundoi në pozitën e tetë. Do të luaj me Lirinë e Prizrenit në ndeshjen e plejautit. Skuadra që shënon fitore garon në Superligë në edicionin e ardhshëm. Dukagjini, ndonëse humbi, mbeti i katërti me 50 pikë. Dhe ka gjasë të dal në Evropë, për herë të parë.

Ndeshja në Ferizaj nuk ishte e vetmja e turpit të dielën. Është koordinuar për të keq me ndeshjen në Mitrovicë, Trepça ’89 – Prishtina. Trepçës ’89 i duhej fitorja ndaj Prishtinës dhe dështimi i Ferizajt për të shmangur pozitën e nëntë dhe rënien nga Superliga. Punën e saj e kreu, por Ferizaj mori pikët ndaj Dukagjinit. Edhe golat në Mitrovicë ishin shumë të dyshimtë, por që u shënuan me më shumë kujdes se ai i pranuar nga Muhaxhiri.

Të dy ndeshjet ishin me peshë edhe për pozitën e katërt, që me shumë mundësi dërgon në Evropë. Prishtina në fund mbeti e pesta me 48 pikë, ndërsa Trepça ’89 në pozitën e parafundit i ka 40 pikë. Dhe edicionin tjetër luan në Ligën e Parë.

Të dy ndeshjet nisën me vonesë. Vonesat ishin banale dhe qartë dihej se kishin të bënin me ndeshjet që luheshin në qytetin tjetër. Më pas zhegitjet ishin të papara. Lojtarët rrëzoheshin pa kontakt fare e po ashtu kishte fishekzjarrë, probleme me rrjeta e gjëra tjera banale.

Prishtina kaloi në epërsi 1:0 në pjesën e parë me golin e Leotrim Kryeziut. Ferizaj po ashtu kishte epërsi 1:0 pas pjesës së parë, falë golit të Bujar Shabanit.

Pjesët e dyta po ashtu ishin me zvarritje të vazhdueshme. Në një Ferizaj zgjati mbi dhjetë minuta. Dhe me të vazhduar ndeshja, Otto John shënoi për 1:1. Topi përfundoi në rrjetë pas devijimit nga Gentrit Halili. Kjo komplikoi situatën. Pasi pa pritur gjasat e 89-shit për të shpëtuar u shfaqën.

Ashtu si pritej, 89-shi barazoi me Rilind Nimanin dhe më pas shënoi golin e fitores me Egzon Fazliun. Loja në Mitrovicë zgjati shumë, por jo sa ajo në Ferizaj. Me fitoren 2:1 të 89-shit, Ferizajt i duhej fitorja që plani të realizohej, të mbetej në vendin e tetë. Një penallti shumë e dyshimtë u shkaktua nga arbitri, që u detyrua ta anuloi atë pasi u ftua nga VAR-i. Derisa në Mitrovicë u dhanë nëntë minuta lojë shtesë, në Ferizaj u dhanë plot 17. Por presioni po rritej. Dhe Muhaxhiri ishte viktimë e tij me gjasë. Lëshoi gol që nuk është parë ndonjëherë në Superligë. Në fakt gola të lëshuara e ndeshje të kurdisura ka pasur vazhdimisht në futbollin kosovar. Por gol si ai i pësuar nga Muhaxhiri nuk janë parë më herët. Dhe vetëm konfirmon atë që është ditur gjithnjë – se futbolli kosovar goditet rëndë nga kurdisjet e manipulimet e rezultateve.

Pas ndeshjes ka folur vetëm trajneri i Ferizajt, Andrej Panadiq. Ai ka shprehur mendimin se portieri i Dukagjinit ka rrëshqitur te goli i pranuar.

Ky edicion është vlerësuar më i rregullt sa i takon kurdisjeve. Por xhiroja e fundit ka qitur hije shumë të keqe mbi gjithë edicionin.