Sport

Ftesa nga Mali i Zi motivon Kuçin para ndeshjes ndaj Dinamos

Mesfushori Edvin Kuç dhe lojtarët e tjerë të Ballkanit po i bëjnë përgatitjet e fundit para ndeshjes kundër gjigantit kroat, Dinamo Zagreb. Kapiteni i Ballkanit, Kuç, mezi pret përballjen me Dinamon. 29-vjeçari ka motiv shtesë për t’i dëshmuar vlerat kundër Dinamos, të enjten në Prishtinë. Ai dëshiron t’i tregojë përzgjedhësit të Malit të Zi, Miodrag Raduloviq se me të drejtë ia ka dërguar ftesën për dy ndeshjet e këtij muaji.

Para se të grumbullohet për herë të parë me Malin e Zi, Kuç ka për obligim t’i kryej detyrat që trajneri Ilir Daja do t’ia japë për ndeshjen kundër Dinamos, në grupet e Ligës së Konferencës.

“Na pret një ndeshje e vështirë. Dinamo është gjigant evropian, ne e respektojmë, por më shumë presim të na respektoj. Kemi të drejtë të besojmë dhe me ndihmën e tifozëve tanë mund të bëjmë një rezultat pozitiv”, ka thënë Kuç të martën për KOHËN.

Ai insiston se Ballkani ka gjasa për kalim në fazën nokaut. Ballkani është në grupin C së bashku me Dinamon, Viktoria Plzenin dhe Astanan. Nga Viktoria humbi 1:0 në hapje të garës në grup.

Për Ballkanin është hera e dytë rresht që merr pjesë në grupet e Ligës së Konferencës, garës së tretë të UEFA-s për nga niveli. Kalimi në fazën nokaut do të ishte tjetër arritje historike për Ballkanin dhe futbollin kosovar.

“Nëse nuk do të kishim besuar te suksesi, nuk do të kishim arritur kurrë fazën e grupeve. Besimin dhe shpresën askush nuk mund ta heqë, por asgjë nuk është e garantuar në futboll. Një gjë që e di dhe një gjë për të cilën jam i sigurt është se do të bëjmë maksimumin për të arritur një rezultat të mirë kundër të gjithëve”, është shprehur kapiteni i klubit nga Suhareka.

Kuç u është mirënjohës të gjithëve në klub për rritjet si futbollist.

“Ballkani më ndihmoi të jem këtu ku jam sot, i jam mirënjohës të gjithëve në klub. Pa ta kjo nuk do të ishte e mundur”, ka thënë ai.

Kuç karrierën e ka nisur te klubi shqiptar i Tuzit, Deçiq. Në Mal të Zi ka luajtur edhe për Mladostin dhe Rudarin, ndërsa për një periudhë ishte te Usti nad Labem i Çekisë. Pjesë e Ballkanit është prej gushtit të vitit 2020. Ka fituar dy herë titullin e kampionit të Kosovës. Pra sukseset më të mëdha i ka në Kosovë.

Por Kosova kurrë nuk pati interes ta afroj në përfaqësuese. Problem, sipas selektorit të Kosovës, Primozh Gliha, është mosha.

Kuç, 29-vjeçar, është nga Mali i Zi.

“Ka pasur gjithmonë fjalë, por asgjë konkrete. Në konferencën e fundit përzgjedhësi i Kosovës më bëri të ditur se nuk mund t’i mbaj gjallë shpresat dhe se mosha është problem. Mendimi im është se mosha është vetëm një numër dhe se ka rëndësi vetëm kush është në formë dhe kush mund të japë më shumë në një moment të caktuar dhe kush mund të ndihmojë drejt objektivit të caktuar”, thotë Kuç. “Mendoj se çdo lojtar i Ballkanit e meriton dhe duhet të shpresojë në një ftesë. Çdo lojtar ka treguar cilësi, si në kualifikime ashtu edhe në fazën e grupeve. Sigurisht edhe në kampionatin e Kosovës. Shumë e nënvlerësojnë ligën, por jam i sigurt se ka shumë lojtarë cilësorë”.

Kuç thotë se kishte besuar që një ditë do të luante në nivel të përfaqësuesve.

“Sinqerisht, gjithmonë kam shpresuar dhe gjithmonë kam besuar se ajo ditë do të vinte. Kurrë nuk hoqa dorë prej saj. Trajneri i ka përcjellë ndeshjet në Evropë, ka ardhur edhe kundër Malishevës në Suharekë. Kemi biseduar dhe në fund kam marrë ftesë zyrtare dhe për këtë i jam mirënjohës”, ka theksuar Kuç.

Mali i Zi më 12 tetor luan miqësore ndaj Libanit në Podgoricë, ndërsa pesë ditë më vonë në Beograd luan kundër Serbisë, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Miqësorja pritet të jetë rasti i Kuçit.

“I takon përzgjedhësit të vendosë nëse do të marrë një minutë, më takon mua të vazhdoj punën. Nëse më krijohet mundësia, sigurisht që do të jap maksimumin dhe do të tregoj se nuk e kam marrë rastësisht thirrjen”.

Pjesë e Malit të Zi janë edhe disa shqiptarë.