Duke mbajtur të birin e saj dyvjeçar, Zyon, në duart e saj dhe me flokët e lyer me ngjyra ylberi, Shelly-Ann Fraser-Pryce ka festuar titullin e saj të katërt të botës në 100 metra vrapim më 29 shtator të vitit 2019, në moshën 32-vjeçare.
Në stadiumin “Khalifa” në Doha të Katarit, xhamajkanja fitoi garën finale me një dallim të dukshëm, duke u shkëputur qysh në start dhe duke kryesuar tërë garën, ndërsa e përfundoi me kohë 10.71 sekonda. Ishte rekord i saj i stinorit dhe ishte koha e njëjtë të cilën e kishte vendosur edhe kur e fitoi titullin e botës gjashtë vjet më parë në Moskë, ndërsa ishte vetëm 0.01 sekonda më ngadalë se rekordi i saj personal. Kjo i solli asaj titullin e katërt të botës në 100 metra, që është rekord në të dy konkurrencat. Madje edhe bashkëkombësi i saj legjendar, Usain Bolt, nuk e ka arritur këtë rekord. Ai ka fituar tre tituj bote në 100 metra.
“Të qëndroj këtu pasi ia kam dalë sërish të fitoj titullin, tash si 32-vjeçare dhe me të birin tim në dorë, është ëndërr e realizuar për mua. Nuk kam fjetur natën e kaluar. Herën e fundit që isha në një kampionat të madh ishte në vitin 2016, dhe nuk mund të flija nga nervat. Por me forcën mentale arrin atë që dëshiron. Nuk po mund të besoj. Kam punuar aq fort për t’u kthyer sërish. Konkurrenca ishte mjaft e fortë. U desh të isha në formën më të mirë për të arritur te fitorja këtu. Thjesht, doja të kisha një fillim të furishëm, që e pata, dhe në fund u sigurova që të mbaja avantazhin dhe të mos ia lija asgjë rastit”, tha Fraser-Pryce pas fitores së saj... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)