Shelly-Ann Fraser-Pryce vendosi rekord dhe vërtetoi se edhe në moshën 35-vjeçare është gruaja më e shpejtë në botë.
Xhamajkania Shelly-Ann Fraser-Pryce mbrojti medaljen e artë të fituar në Doha të Katarit. Ajo në orët e para të së hënës (sipas kohës në Kosovë), fitoi garën në 100 metra në botërorin që po mbahet në Eugene të SHBA-së, njoftoi AP-ja.
Ajo triumfoi me kohë 10.67 sekonda përpara bashkatdhetareve Shericka Jackson (10.73) dhe Elaine Thompson-Herah (10.81), që morën dy medaljet tjera me më pak shkëlqim.
Në këtë mënyrë, Fraser-Pryce theu rekordin e kampionatit botëror të mbajtur nga legjendarja Marion Jones që nga viti 1999 për tri të qindtat e sekondës.
Për xhamajkanen, kjo ishte medalja e pestë e artë botërore, që po ashtu është rekord. Ajo ka medalje të arta nga botërorët edhe në 200m e 4x100m në stafetë.
Veçanërisht mbresëlënëse është se ajo fitoi tri medalje të arta pas lindjes së djalit të saj në vitin 2017.