Eintracht Frankfurti do të luajë në shtëpi me Royale Unionin, në ndeshjen kthyese të 1/16 së finales së Ligës së Konferencës.
Ky ballafaqim luhet nga ora 21:00, ndërsa ndeshja e parë është mbyllur 2:2 në Belgjikë.
Në këtë orar luhen edhe duelet Ferencvarosh – Olympiacos, Legia – Molde dhe Slovan Bratislava – Sturm Graz.
Tri ndeshje tjera do të zhvillohen nga ora 18:45.
Ludogoretsi përballet me Servetten, Dinamo e Zagrebit e pret Real Betisin, ndërsa Ajaxi luan në udhëtim te Bodo/Glimti.
Edhe
Aston Villa e Ajaxi pritet të zhvillojnë tjetër ndeshje të fortë
Ajaxi në shtëpi luajti baras, 2:2, me skuadrën norvegjeze në Amsterdam, ndërsa nga Norvegjia, skuadra e madhe holandeze synon të kthehet e kualifikuar.
Skuadra e madhe kroate, Dinamo Zagreb, fitoi 1:0 në Spanjë dhe ndoshta ka qenë rezultati më befasues i takimeve të para.
Ishte fitorja e parë e kroatëve në tokën spanjolle, në tentimin e tetë, pasi kishte pësuar shtatë humbje në të kaluarën.
Herën e fundit kur Dinamo kaloi në 1/8 e finales së një gare evropiane ishte edicioni 2020/21 në Ligën e Evropës.
Rrugëtimi i tyre u ndal në çerekfinale nga Villarreali.
Ndërkohë Eintracht Frankfurti, që kishte fituar Kupën e UEFA-s në të kaluarën dhe Ligën e Evropës për herë të fundit në vitin 2022 në penallti ndaj Rangersit, po synon tjera suksese evropiane.
Në edicionin e kaluar ishte në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve.
Tani kërkon trofe edhe në Ligën e Konferencës, pasi konsiderohet si një prej favoritëve për të triumfuar.
Edhe
Ndeshje interesante në Ligën e Konferencës
Finalja e Ligës së Konferencës do të zhvillohet në “Agia Sofia Stadium” në Athinë të Greqisë, më 29 maj.
Ky stadium është hapur në shtator të vitit 2022, ndërsa ka kapacitet prej 30 mijë ulëseve. Është shtëpi e ndeshjeve ndërkombëtare të Greqisë dhe AEK-ut të Athinës.