Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, tha të mërkurën se rreth 300 mijë spektatorë do të jenë në gjendje të marrin pjesë në ceremoninë hapëse për lojërat olimpike “Parisi 2024”. Është kjo rreth gjysma e shifrës që ishte planifikuar fillimisht.
Shfaqja gjigante në lumin Sena, më 26 korrik, do të shënojë herën e parë që një ceremoni hapëse e Lojërave Olimpike mbahet jashtë një mjedisi të zakonshëm - stadiumi. Ceremonia do të përfshijë gjithashtu një operacion masiv sigurie, me dhjetëra mijëra oficerë policie dhe ushtarë të vendosur në çdo cep.
Sportistët pjesëmarrës në lojërat olimpike “Parisi 2024” do të parakalojnë nëpër zemër të kryeqytetit francez me varka nëpër lumin Sena, përgjatë një rruge prej 6 kilometrash. Të dy brigjet e lumit do të jenë të mbushura nga spektatorët, pas kordoneve të shumta të sigurisë.
Duke folur në kanalin televiziv francez “France 2”, ministri Darmanin tha se planet aktuale do të lejojnë 100,000 spektatorë që do të paguajnë për të qenë me pamje nga uji dhe më shumë se 220,000 njerëz me bileta falas që do të vendosen në bregun e sipërm të lumit. Organizatorët e Lojërave Olimpike të Parisit fillimisht kishin vlerësuar se rreth 600,000 spektatorë mund ta ndiqnin ceremoninë, por ministri Darmanin nuk dha arsye pse i kanë rishikuar ato shifra.
I pyetur nëse kishte pagjumësi duke menduar për ceremoninë hapëse të Olimpiadës, Darmanin u përgjigj se po fle mirë.
Edhe
Masa të rrepta sigurie para hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike
“Unë e di se ne kemi forcat më të mira të sigurisë në botë dhe do të jemi në gjendje të tregojmë se Franca është e aftë të fitojë medalje dhe, mbi të gjitha, të presë botën pa asnjë problem”, tha ai.
Në dhjetor të vitit 2023, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ceremonia mund të zhvendoset për arsye sigurie, nëse Franca goditet sërish nga sulmet ekstremiste në prag të Lojërave Olimpike. Ai përmendi sulmet vdekjeprurëse ekstremiste që goditën Parisin në vitin 2015 si një shembull të llojit të krizës së rëndë, që mund të detyrojë një rishqyrtim për ndërrimin e lokacionit të ceremonisë hapëse. Ceremonia hapëse është prej shenjave dalluese të Lojërave Olimpike.