Kylian Mbappe ndihmoi Francën ta fitonte Kupën e Botës katër vjet më parë, duke u bërë një superyll në proces. Këtë herë turneu mund të shërbejë si një shpëtim i mirëpritur nga presionet te Paris Saint-Germaini dhe gjithashtu si një shans për të luajtur në pozicionin e tij të preferuar.
Për Karim Benzeman është një mundësi për ta shfaqur talentin që e çoi atë në fitimin e “Topit të Artë” si gati 35 vjeç.
Rrugët e tyre drejt Katarit kanë ndryshuar shumë. Kur 19-vjeçari Mbappe shënoi në finalen e Kupës së Botës katër vjet më parë, ai ishte lojtari më i ri që nga Pele në vitin 1958 që realizoi në ndeshje vendimtare. Benzema nuk ishte askund afër Moskës në atë kohë. Sulmuesi i Real Madridit ishte i dëbuar nga Përfaqësuesja e Francës. Edhe pse luajtën së bashku në Kampionatin Evropian të vitit të kaluar, me Benzemann sapo të rikthyer te Franca, gjërat nuk rrodhën mirë mes tyre.
Tani rrethanat kanë ndryshuar shumë, por për të mirë. Dy sulmuesit kanë treguar se sa efektivë janë së bashku – duke realizuar gjashtë gola në një fitore kualifikuese të Kupës së Botës që trajneri i Francës, Didier Deschamps, e quajti “një natë e bukur futbolli”.
Benzema është i dyti në listën e golashënuesve më të mirë të Madridit pas Cristiano Ronaldos, me 329 gola të shënuar. Mbappe, që pritet të thyejë rekordin e PSG-së prej 200 golash të Edinson Cavanit këtë sezon, tashmë ka 28 gola për Francën. Benzema ka 37 gola, përkatësisht 10 në 16 ndeshjet e fundit ndërkombëtare. Ata do të formojnë sulmin më vdekjeprurës në Katar. Sidomos nëse Mbappe ka lirinë që dëshiron pas zhgënjimit të luajtjes si qendërsulmues për PSG-në. Ai do të preferonte të luante në krah, duke përdorur kështu ritmin dhe aftësinë e tij për të sulmuar nga thellësia ose nga gjerësia.
“Kam shumë më tepër liri me Francën. Trajneri Deschamps e di se ka një numër 9 si Olivier Giroud që kujdeset për mbrojtësit në mënyrë që unë të mund të vrapojë, të lëvizë në hapësirë, ta kërkojë topin”, tha Mbappe në shtator, pasi Giroud asistoi për të në golin e fitores në Ligën e Kombeve ndaj Austrisë. “Me Parisin është ndryshe, kjo nuk ndodh, mua më kërkohet të luaj si sulmues qendror”.
Një “pivot” është termi i futbollit francez për një sulmues qendror, i cili gjithashtu vepron si një lojtar lidhës me shpinën drejt portës, siç bën Giroudi dhe Mbappe nuk dëshiron. Giroudi ka nevojë për dy gola për ta barazuar rekordin e Thierry Henryt prej 51 golave. Por Deschamps mund të preferojë Griezmannin, tani që ai është kthyer në formë me Atletico Madridin.
Kohët stresuese
Mbappe ka pasur gjëra të tjera në mendjen e tij së fundmi, duke mohuar se është i pakënaqur në PSG dhe se ai po shtyn për një lëvizje te Real Madridi – ekip që ka dështuar dy herë ta transferojë. Ai gjithashtu duhej të përballej me akuzat nga media hulumtuese franceze “Mediapart”, që pretendonte se PSG-ja punësoi një kompani të jashtme për të krijuar llogari të rreme në “Twitter” në përpjekje për t’i denigruar mediat e perceptuara si armiqësore ndaj klubit. “Mediapart” pretendoi se ish-mesfushori i PSG-së, Adrien Rabiot, ishte në shënjestër së bashku me Mbappen – pas raportimeve në vitin 2019 se Mbappe donte të bashkohej me Real Madridin. Kështu që rikthimi në “biznes” me Francën në Kupën e Botës mund të jetë një lehtësim i madh për Mbappen. Ai ka një arsye të fortë për t’u dëshmuar në Katar, sidomos pas dështimit në Kampionatin Evropian të vitit të kaluar. Benzema shënoi katër gola dhe Griezmann shënoi një herë, kurse Mbappe nuk shënoi asnjë gol dhe humbi penalltinë vendimtare kur Franca u eliminua nga Zvicra në 1/8 e finales. Te Franca, atë humbje nga Zvicra e kanë marrë si një shenjë paralajmëruese. Që kur Brazili humbi finalen e vitit 1998 ndaj Francës, asnjë kampion në fuqi i Botës nuk i është afruar titullit. Nga pesë kampionët e fundit, katër nuk arritën të kalonin në fazën eliminatore dhe tre ishin të fundit në grupin e tyre - duke përfshirë Francën në vitin 2002. Franca duhet të jetë në garë për vendin e parë në Grupin D, së bashku me Danimarkën. Australia dhe Tunizia janë gjithashtu në grup.
Shqetësimet e lëndimeve
Përzgjedhësi Deschamps ka një sulm që e ka zili gjithë futbolli botëror dhe dy portierë shumë të mirë, veteranin Hugo Lloris dhe Mike Maignan. Maignan nuk është i sigurt nëse do të udhëtojë në Katar për shkak të lëndimit.
Deschamps ka probleme të mëdha me lëndime të lojtarëve kryesorë, sidomos në mbrojtje dhe mesfushë. Qendërmbrojtësi Raphael Varane është në dyshim pasi u largua nga fusha me lot pas lëndimit të gjurit në një ndeshje të Manchester Unitedit në Premier League. Fituesi i Kupës së Botës, Paul Pogba, do të jetë mungesa e madhe e Francës në mesfushë. Ai javë më parë u rikthye në stërvitje pas operimit në gju, por u lëndua në përgatitje të Juventusi për t’i dhënë fund shpresave për pjesëmarrje në Katar. N'Golo Kanté ishte një tjetër pjesë kyç e suksesit të Francës në Kupën e Botës. Por mesfushori i Chelseat është jashtë fushës për disa muaj pas një operacioni për një dëmtim të kofshës dhe ende nuk është rikthyer plotësisht. Kështu që Deschamps duhet të presë deri në momentin e fundit për të parë se në cilët prej lojtarëve mund të llogaritë, përpara se ta publikojë listën përfundimtare.