Trajneri i Bayern Munichut, Hansi Flick, është duke menduar për të ardhmen pas eliminimit nga Liga e Kampionëve.
Kontrata e Flickut përfundon në vitin 2023, por ai ka refuzuar ta pranojë se do ta respektojë atë deri në fund.
Flicku është folur shumë se mund të jetë zëvendësues i Joachim Lowit në krye të Përfaqësueses së Gjermanisë, pas Kampionatit Evropian që zhvillohet këtë vit.
Flick ishte asistent i Lowit nga viti 2006 deri në vitin 2014.
“Kam kontratë me Bayern Munichun dhe këto janë gjëra që vetëm vijnë. Mendoj se gjëja për të gjithë në këtë pozitë, si menaxher apo si trajner, është se si ta zhvillosh ekipin. Është proces. Mendoj gjithmonë, sepse për mua është pjesë e procesit të suksesit”, ka thënë Flick ndër të tjerash për mediumin “Sky”.
Legjenda e Bayernit, Lothar Matthaus, tha për të njëjtin medium se ka pasur kontakte nëpërmjet telefonit mes Federatës së Futbollit të Gjermanisë dhe Flickut, dhe se 56-vjeçari është favorit për ta marrë drejtimin e Gjermanisë.
Matthaus tha po ashtu se po konsiderohet edhe trajneri i Leipzigut, Julian Nagelsmann, si pasues i Flickut te Bayerni.