Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Flick, i zhgënjyer që Bayerni nuk po i ofron kontratë afatgjate

Foto: Reuters

Bayern Muencheni mund ta humbë trajnerin Hansi Flick te një ekip tjetër nëse nuk i ofrojnë kontratë së shpejti.

Mediumet gjermane kanë raportuar të mërkurën se Flick tashmë ka nisur negociatat me skuadrat tjera të Bundesligës, duke pasur parasysh se drejtuesit e Bayernit nuk kanë bërë asnjë lëvizje për ta konfirmuar në postin e trajnerit edhe pas përfundimit të këtij edicioni. Mësohet se Flick është shumë i zhgënjyer për shkak se te Bayerni po ngurojnë për t’i nisur negociatat për ta konfirmuar atë si trajner. Flick, 54-vjeçar, në nëntor të vitit të shkuar, mori përsipër rolin e trajnerit të përkohshëm te Bayerni, pas shkarkimit të Niko Kovaqit.

Flick ka kontratë vetëm deri në fund të këtij edicioni dhe po pret që të shpërblehet me kontratë të re, pas rezultateve të mira që ka regjistruar klubi nën urdhrat e tij. Me Flickun si trajner, Bayerni ka arritur të rikthehet në krye të tabelës në Bundesligë dhe nën drejtimin e tij ka vetëm një humbje në të gjitha garat. Në fakt, Flick ka 13 fitore në 16 ndeshje të zhvilluara deri më tash.

Por, duket se as ky rekord i mirë i Flickut nuk po mjafton që Bayerni t’i ofrojë kontratë afatgjate për ta zyrtarizuar të paktën edhe për edicionin e ardhshëm. Aktualisht, Bayerni është lider në Bundesligë, me 46 pikë pas 22 xhirove të zhvilluara.

“Hansi Flick është shumë i zhgënjyer për shkak se puna e tij po nënvlerësohet te Bayerni. Ai ka pritur që krerët e klubit ta emërojnë trajner të përhershëm pas rezultateve të mira, por në klub po hezitojnë për t’ia ofruar një kontratë të tillë. Duke parë gjithë këtë situatë, Flick tashmë ka nisur negociatat me disa skuadra tjera të Bundesligës që po e duan për trajner prej edicionit të ardhshëm”, ka shkruar e përditshmja gjermane “Bild”. “Në klub kanë paralajmëruar se muajin tjetër do t’i nisin negociatat për vazhdimin e kontratave me disa lojtarë, por jo edhe me Flickun. Flick ka gjasa të mëdha që shumë shpejt të zyrtarizohet te ndonjë ekip tjetër, pasi kontrata me Bayernin i skadon në verë dhe ai nuk dëshiron të presë më shumë”.

Gjithashtu, është raportuar se Flick tashmë ua ka bërë me dije krerëve të Bayernit se nuk do të kthehet më në rolin e ndihmëstrajnerit, pasi dëshiron të punojë si kryetrajner. Flick pritet që pas ndeshjeve të 1/8 të finales në Ligën e Kampionëve me Chelsean, të kërkojë takim me drejtuesit e klubit për ta paralajmëruar largimin nga Bayerni në fund të edicionit. 54-vjeçari, para Bayernit, ka punuar si ndihmës edhe te Përfaqësuesja e Gjermanisë dhe skuadra e Red Bull Salzburgut.