Sport

Fitore ndaj xhudistes serbe dhe argjend për Norën, me gjithë lëndimin

Xhudistja Nora Gjakova dhe trajneri Driton Kuka kanë bërë ushtrime të posaçme për një përballje eventuale të Norës me garuesen serbe, Marica Perishiq, në Grand Slamin në Baku të Azerbajxhanit. Ushtrimet dolën të qëlluara – Nora dominoi plotësisht dhe shënoi fitore ndaj Perishiqit në çerekfinale të Grand Slamit në Baku, të premten. Ndaj Perishiqit fitoi me uazari, por e dominoi plotësisht luftën e kategorisë deri 57 kilogramë.

E frymëzuar nga kjo fitore, Nora në gjysmëfinale realizoi herët aksion për uazari në përballje me holandezen Julie Beurskens. Por avantazhin e krijuar mezi e ruajti deri në fund. I është dashur të mbrohet, ndërsa me shumë mund e shmangu dënimin e tretë.

Më pas u kuptua që Nora kishte luftuar e lënduar ndaj holandezes. Ndaj saj pësoi lëndim muskulor në minutën e dytë dhe dy minuta të tjerë i përballoi e lënduar. Sakrifica iu shpërblye me medalje argjendi dhe me plot 700 pikë në ranglistën botërore, që e konfirmojnë bartëse në Lojërat Olimpike
“Parisi 2024”.

Në finale, Nora është dashur të përballet me kanadezen Christa Deguchi, që ishte bartëse e parë. Por me sugjerim të trajnerit Kuka dhe mjekut, nuk doli në tatami. Me të drejtë.

Nora mezi ka dalë edhe në podium për të pranuar medaljen e argjendtë. Për t’u ngjitur në shkallën e dytë të podiumit është ndihmuar nga Deguchi. Është ndihmuar nga kanadezja edhe për të zbritur nga podiumi.

“Shpresojmë që lëndimi i Norës të mos jetë serioz. Ajo ka pasur ditë shumë të mirë, deri te lëndimi. Edhe pas lëndimit ka shtrënguar dhëmbët dhe i ka shkuar luftës deri në fund”, ka thënë trajneri Kuka.

Vazhdimi i luftës, ndonëse e lënduar, dëshmon karakterin fitues të Norës, kampiones olimpike nga Tokio. Ajo është shpresë e madhe për medalje edhe në Lojërat e Parisit që mbahen në verë.

Nora Gjakova e nisi ditën me fitore bindëse ndaj gjeorgjianes Nino Loladze. Më shumë u sfidua nga azerbajxhanasja Acelya Toprak në luftën e dytë. Më pas erdhi fitorja ndaj serbes Perishiq.

“Kemi bërë ushtrime më specifike, kemi punuar tërë javën dhe kjo u shpagua. Lufta shkoi mirë”, ka shtuar Kuka.

Ishte fitorja e gjashtë e Nora Gjakovës ndaj serbes Perishiq, që po ashtu është xhudiste cilësore. Prej saj kishte humbur vetëm në mars të vitit të kaluar, në Grand Slamin në Tbilisi. Nuk ishte rezultat lehtë i përballueshëm dhe Nora e trajneri Kuka morën masat.

Të tjera medalje nga xhudistët priten të shtunën e të dielën. Të shtunën garojnë Laura Fazliu e Dardan Cena. Të dielën në tatami del Loriana Kuka.

Në Baku po garojnë 404 xhudistë nga 62 shtete të ndryshme.