Ashtu si pritej, Sigal Prishtina ka mposhtur Istogun në kuadër të xhiros së 18-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Prishtina fitoi të dielën mbrëma me rezultatin 83:68, por fitorja megjithatë nuk ishte e lehtë.
Ndonëse Istogu ishte vendas, ndeshja u zhvillua në Prishtinë.
Tetë minuta para fundit, Istogu ishte vetëm katër pikë prapa Prishtinës, 60:56. Vetëm më pas skuadra prishtinase u shkëput për të fituar bindshëm në fund.
Istogu e fitoi çerekun e parë, ndërsa Prishtina u kundërpërgjigj në të dytin. Istogu e fitoi edhe çerekun e tretë, por nuk kishte forcë për ta bërë befasinë e madhe.
Arian Azemi u shqua tek Istogu me 20 pikë, pesë asistime e dy kërcime. Tyres Prince i kishte 17 pikë e 11 kërcime.
Te Prishtina, 21 pikë, 15 kërcime e pesë asistime i kishte Fisnik Rugova. Me 14 pikë e tetë kërcime ndeshjen e përfundoi Muhamedali Janjeva, ndërsa Derrick Wilson i kishte 12 pikë e dhjetë asistime.
Prishtina është e treta me 30 pikë. Istogu mbetet i fundit me 19 pikë.