Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Firmino flet pasi u la jashtë Botërorit

Sulmuesi i Liverpoolit, Roberto Firmino, ka bërë të ditur zhgënjimin e tij të madh pasi u la jashtë listës së Brazilit për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Përzgjedhësi i Brazilit, Tite, të hënën mbrëma publikoi listën prej 26 lojtarëve të ftuar për Katar, në mesin e të cilëve kishte ftuar nëntë sulmues, por jo yllin e Liverpoolit.

Nëpërmjet një postimi në Instagram, Firmino pranoi se nuk kishte imagjinuar që nuk do të ftohej për këtë turne.

“Dua t’i falënderoj të gjithë për mesazhet mbështetëse. Kupa e Botës është ëndërr e çdo lojtari, përfshirë edhe mua. Dje gjërat nuk shkuan siç i kisha imagjinuar, por mund të shikoj prapa me krenari dhe të falënderoj Zotin që më ka mundësuar ta jetoj atë ëndërr”, ka shkruar Firmino, i cili ka 55 paraqitje për Brazilin.

Edhe pse kishte shënuar shtatë gola për Brazilin, përfshirë një kundër Meksikës në Botërorin e vitit 2018, përzgjedhësi Tite ka preferuar lojtarë më të rinj në moshë për repartin e sulmit. Në fakt, në shtator Firmino ishte përfshirë në listën preliminare, përpara se të mbetet në shtëpi.

Ai iu dëshiroi suksese bashkëlojtarëve të tij dhe pranoi se ishte i nderuar që ka pasur mundësinë për ta përfaqësuar Brazilin.