Sport

FIFA synon që çdo ndërprerje në ndeshje ta kompensojë me kohë shtesë

FIFA dëshiron që koha shtesë në ndeshjet e futbollit të shtohet për çdo ndërprerje, megjithëse shefi i arbitrave tha se një “rregull i mëshirës” që bejsbolli e përdor në disa nivele, mund të debatohet në të ardhmen për të përfunduar ndeshjet në 90 minuta.

Fitorja e thellë e Liverpoolit 7:0 ndaj Manchester Unitedit vikendin e shkuar kishte vetëm tre minuta të shtuar në fund, pavarësisht gjashtë golave të shënuar në pjesën e dytë, tha kreu i arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina.

Kupa e Botës “Katari 2022” shfaqi një tendencë të FIFA-s dhe Collinas për t'u dhënë tifozëve më shumë argëtim. Gjyqtarët u detyruan të shtojnë minuta të sakta shtesë për ndalimet si festimi i golave, zëvendësimet, dëmtimet dhe humbja e qëllimshme e kohës. Kjo çoi në të ashtuquajturën lojë 100-minutëshe dhe nënkuptonte se triumfi 7:0 i Spanjës ndaj Kosta Rikës në fazën e grupeve kishte tetë minuta kohë shtesë, tha Collina. Falë kësaj shtese, Alvaro Morata arriti të shënonte golin e shtatë për spanjollët. Edhe pse goli i Moratas nuk ishte vendimtar në renditjen përfundimtare të Grupit E, Spanja avancoi përpara Gjermanisë falë goldallimit.

“Në disa gara diferenca e golave ​​në të gjithë sezonin mund të jetë vendimtare në fund për renditjen në tabelë”, tha Collina. “Pra, edhe një gol i shënuar ose i pashënuar mund të bëjë diferencën”.

Në vitin 1989, Arsenali fitoi titullin e ligës angleze ndaj Liverpoolit me golat e shënuar edhe pse diferenca e golave ishte identike ndërmjet dy skuadrave. Ekipet u takuan në ndeshjen e fundit të sezonit dhe fitorja 2:0 e Arsenalit në Liverpool u vulos me një gol në minutat e fundit të pjesës së dytë. Collina pranoi se koha e gjatë e shtuar në ndeshje të tilla si fitorja e njëanshme e Liverpoolit fundjavën e kaluar mund të shihet si “diçka që nuk është vërtet e kuptueshme”, megjithëse ai sugjeroi se qëndrueshmëria ishte thelbësore.

“Në Kupën e Botës njerëzit e dinin se çfarë të prisnin”, tha ish-gjyqtari, i cili ndau drejtësinë në finalen e vitit 2002. “Aty ku ka qëndrueshmëri në fushën e lojës, çdo vendim është më i mirë”.

FIFA dhe paneli i rregullave të futbollit i njohur si IFAB, duan që matja e kohës në stilin e Kupës së Botës të miratohet globalisht sezonin e ardhshëm, kështu që ndeshjet 100-minutëshe mund të bëhen rutinë në ligat vendore. Megjithatë, Collina sugjeroi që një ditë futbolli mund të kërkonte frymëzim nga bejsbolli për të kontrolluar kohëzgjatjen e ndeshjeve.

“Rregulli i mëshirës i bejsbollit, i përdorur në turne ndërkombëtarë dhe në disa nivele kolegjesh në SHBA, përfundon një lojë kur një ekip ndërton një epërsi të madhe pas një numri të caktuar pikësh. Ndoshta në të ardhmen mund të mendojmë që brenda ligjeve të lojës të themi se nuk do të jepet kohë shtesë në fund të ndeshjes nëse ka një diferencë prej ‘x’ golave ​​mes skuadrave”, tha Collina. “Në një fazë të caktuar ne duhet të marrim parasysh se çfarë është në dobi të përbashkët të futbollit dhe çfarë jo. Kështu që mendoj se koha shtesë për ndërprerje është në favor të futbollit dhe duhet të aplikohet në çdo ligë”.