Sport

FHK-ja me të hyra prej 919 mijë eurosh, nga MKRS-ja 330 mijë

Federata e Hendbollit e Kosovës gjatë vitit 2023 ka realizuar të hyra financiare prej 919 mijë eurosh. Kjo bëhet e ditur në materialin për Kuvendin e Rregullt të Punës që FHK-ja tashmë e ka dërguar te klubet e hendbollit. Kuvendi i Punës i FHK-së mbahet më 28 mars.

Të hyrat financiare janë rritur në krahasim me vitin 2022, njëjtë si shpenzimet. Në vitin 2022, Federata e Hendbollit e Kosovës kishte të hyra prej 638 mijë eurosh.

Rreth një të tretën e të hyrave gjatë vitit 2023 FHK-ja e ka realizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përkatësisht nga buxheti i shtetit. 330 mijë euro janë të evidentuara si të hyra nga MKRS-ja. 210 mijë prej tyre janë “mbështetje institucionale”, ndërsa 120 mijë si aneks-memorandum për Kampionatin Evropian për hendbolliste të reja të mbajtura në Prishtinë.

Për atë kampionat, mbështetja nga Federata Evropiane e Hendbollit ishte 201 mijë euro. Ndërkohë për ngjarjen IHF Trophy, po ashtu të mbajtur në Prishtinë, mbështetja nga Federata Ndërkombëtare e Hendbollit (IHF) ishte 99 mijë euro.

Të hyra nga aktivitete, FHK-ja ka të evidentuara shifrën prej 86 mijë eurosh. Nga marrëveshjet e sponsorizimit i ka 120 mijë euro.

Sa u takon shpenzimeve, shumë prej parave shkojnë për bileta dhe akomodim të ekipeve përfaqësuese. Organizimi i Evropianit për hendbolliste të reja në Prishtinë, sipas raportit financiar të FHK-së, ka kushtuar 200 mijë euro. 70 mijë euro ishin shpenzimet për Përfaqësuesen A të hendbollisteve e 110 mijë euro për Përfaqësuesen A të hendbollistëve. Duke llogaritur 200 mijë eurot për organizmin e Evropianit në Prishtinë, për Përfaqësuesen U19 të hendbollisteve janë shpenzuar 223 mijë euro.

Paga për stafin e FHK-së janë ndarë 64 mijë euro. Si pagesë për trajnerë, arbitra, vëzhgues, kontrollues e fizioterapeut janë ndarë 134 mijë euro. Pra gjithsej për paga janë ndarë 198 mijë euro.

Gjithsej gjatë vitit 2023 Federata e Hendbollit e Kosovës kishte shpenzime prej 882 mijë eurosh.

Në bazë të raporteve zyrtare, FHK-ja ka të hyra e rrjedhimisht edhe shpenzime dukshëm më të vogla se Federata e Futbollit dhe ajo e Basketbollit.

Vjet Federata e Futbollit kishte të hyra prej 19 milionë eurosh. Nga UEFA ka realizuar të hyra prej 15 milionë eurosh, ndërsa nga FIFA prej 1,6 milionë euro. Të hyrat e FFK-së nga MKRS-ja vjet ishin 150 mijë euro.

Për paga, Federata e Futbollit ka ndarë plot 4 milionë e 222 mijë euro. Në Raportin e Auditorit nuk është saktësuar se sa janë shpenzimet vjetore për pagat e stafit të FFK-së.

Federata e Basketbollit e Kosovës gjatë vitit 2023 ka realizuar të hyra prej 2,1 milionë eurosh. Nga MKRS-ja të hyrat e FBK-së ishin plot 1 milion e 135 mijë euro.

Federata e Basketbollit e Kosovës vjet ka përfituar nga kuleta e shtetit dukshëm më tepër se FFK-ja e FHK-ja.

FBK-ja kishte të hyra nga FIBA prej 209 mijë eurosh, nga sponsorët prej 449 mijë eurosh dhe nga aktivitetet prej 358 mijë eurosh.

Si shpenzime për paga të stafit, FBK-ja ka prezantuar shifrën prej 209 mijë eurove, tri herë më shumë se FHK-ja.

Si shpenzime “për paga dhe mëditje për trajnerë, komisione në FBK, aktivitete të tjera”, FBK-ja ka evidentuar 255 mijë euro. 238 mijë euro të tjera janë të paraqitura si shpenzime për paga të personave zyrtarë të ndeshjes.


Federata e Futbollit e Kosovës (2023):

Të hyrat: 19,065,439 euro

Të hyrat nga UEFA: 15,295,039

Të hyrat nga FIFA: 1,633,065

Të hyrat nga subvencionet MKRS: 150,190

Shpenzimet e pagave: 4,222,257

Federata e Basketbollit e Kosovës (2023):

Të hyrat: 2,152,416 euro

Të hyrat nga MKRS-ja: 1,135,147

Të hyrat nga FIBA: 209,741

Të hyrat nga sponsorët: 449,364

Të hyrat nga aktivitetet: 358,165

Shpenzimet për pagat e stafit të FBK-së: 209,677

Federata e Hendbollit e Kosovës (2023):

Të hyrat: 919,874

Të hyrat nga MKRS-ja: 330,860

Të hyrat nga aktivitetet: 86,305

Të hyrat nga EHF (Kampionati Evropian U19): 201,864

Të hyrat nga IHF (IHF Trophy): 99,549

Të hyrat nga sponsorizimet: 120,000

Shpenzimet e pagave: 198,861

Shpenzimet për pagat e stafit të federatës: 64,660

Shpenzimet për paga për trajnerë, gjyqtarë, vëzhgues, kontrollues dhe fizioterapeut: 134,200