Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FFK-ja takohet me përfaqësuesit e klubeve të Superligës, bisedohet për mundësinë e rifillimit të sinorit

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) të mërkurën ka mbajtur takim me përfaqësuesit e 12 klubeve të Superligës.

Siç ka njoftuar FFK-ja në këtë takim është biseduar për planet për rifillimin e garave në Superligë, por edhe për fondet e UEFA-s dhe FIFA-s.

“Tema e parë e këtij takimi ishte mundësia e rifillimit të garave, ku sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, i njoftoi klubet se presidenti Agim Ademi është në takimin e përbashkët të federatave me ministren Vlora Dumoshi dhe se FFK-ja tashmë iu ka drejtuar me shkresë të gjitha institucioneve që klubeve t’u mundësohet kthimi në stërvitje në mesin e këtij muaji dhe të lejohet mundësia e zhvillimit të dy ndeshjeve gjysmëfinale të Digital Kupës së Kuoës më 24 maj e rifillimi i kampionatit më 1 qershor, pasi afatet e parapara për rikthimin e aktiviteteve sportive me masat lehtësuese nga Ministria e Shëndetësisë nuk ia mundësojnë FFK-së përfundimin e garave në afatet e parapara të UEFA-s. Sa i përket kësaj çështje të gjitha klubet ishin unike dhe të pajtimit që nëse pranohen afatet e FFK-së të rifillohen me gara, përndryshe nuk do të ketë mundësi të vazhdimit të kampionatit”, thuhet në komunikatën e FFK-së.

Sipas masave lehtësuese aktivitetet sportive mund të rikthehen më 1 qershor, por kjo nënkupton se mund të fillohet me stërvitje më 1 qershor e jo me ndeshje, si[ ka njoftuar të martën mbrëma në “Interaktiv” të KTV-së mikrobiologu Lul Raka.

Po ashtu është biseduar për fondet nga UEFA dhe FIFA, ku klubet janë sqaruar se ato janë fonde të përvitshme për projekte të federatave, por se këtë herë UEFA ka vendosur që t’ua alokojë mjetet më herët si pasojë e pandemisë.

FFK-ja ka thënë se do të qëndrojë afër klubeve gjatë kësaj situate.

“Klubet janë njoftuar se FFK-ja do të qëndrojë afër dhe se gjitha mjetet që do të vijnë nga pako emergjente e Ministrisë së Sportit do t’u përcillen klubeve, derisa Komiteti Ekzekutiv i FFK-së do t’i shqyrtojë edhe të gjitha mundësitë për t’i ndihmuar klubet sërish nga fondet e saj, varësisht se si do të rrjedhë situata me pandeminë dhe nëse do të rifillojë kampionati”, është thënë në komunikatë.