Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FFK-ja shkruan për ngritjen e futsallit kosovar

Përfaqësuesja e Kosovës në futsall (futboll të sallës) garat kualifikuese për Kampionatin e ardhshëm Evropian do t’i fillojë nga “Main Round”, ka njoftuar të premten mbrëma Federata e Futbollit të Kosovës.

Sipas njoftimit, kjo është hera e parë që nga anëtarësimi në UEFA që përfaqësuesja e futsallit nis garat kualifikuese nga ky raund.

Në njoftimin e FFK-së thuhet se ky është një lajm i mirë i cili konfirmon ngritjen e futsallit të Kosovës. Garat nga “Main Round”, Kosova do t’i nis në kualifikimet për Evropianin e vitit 2026 ndërsa ndeshjet do të luhen prej dhjetorit të vitit të ardhshëm deri në prill të vitit 2025.

Evropiani i vitit 2026 do t’i ketë 16 ekipe përfaqësuese dhe do të jetë turneu i dytë pas atij të mbajtur në Holandë në vitin 2022, që ka format të ndryshuar.

Në të kaluarën, Evropiani është mbajtur çdo dy vjet ndërsa “Euro 2026” do të jetë edicioni i dytë që është vendosur të mbahet çdo katër vjet dhe ka katër ekipe më shumë se në të kaluarën. Në kualifikimet për Evropianin që do të mbahet pas tri vjetësh në Lituani dhe Letoni, do të përfshihen 46 ekipe përfaqësuese. Ndërkohë, Lituania e Letonia kualifikohen direkt si nikoqire.

Shorti do të tërhiqet më 12 korrik të vitit të ardhshëm, ndërsa Kosova do të ketë kundërshtarë të vështirë. Në “Main Roud” do të jenë dhjetë grupe me nga katër përfaqësuese, ku dhjetë fituesit e grupeve do të bashkohen me Letoninë dhe Lituaninë në turneun final. Ndërkohë tetë ekipet e vendeve të dytë do të luajnë në plejof për katër vende që dërgojnë po ashtu në Evropian.

“Për herë të parë që nga anëtarësimi në UEFA, Kombëtarja e Kosovës në futsall do t’i fillojë garat kualifikuese për Kampionatin Evropian nga ‘Main Raund’. Ky padyshim është një lajm shumë i mirë për fusallin kosovar, duke u konfirmuar kësisoj ngritja që ka ky sport në vendin tonë viteve të fundit”, ka shkruar ndër të tjera FFK-ja.

Ngritja e futsallit në Kosovë është dëshmuar këtë edicion me paraqitjen e kampiones dhe fitueses së Kupës, Prishtina 01 në Ligën e Kampionëve. Prishtina 01 arriti deri në raundin elitar të kësaj gare, ndërsa ndeshjet e grupit të saj u zhvilluan në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në kryeqytet.

Në raundin elitar më herët ka arritur edhe Feniksi i Drenasit, ekip që tashmë është shuar.

Futsallin kosovar në Champions e kanë përfaqësuar edhe Liburni i Gjakovës, Liqeni i Drenasit dhe Mabetex Prishtina, por që nuk kanë arritur të paraqiten në raundin elitar. Raundi elitar përbëhet prej 16 skuadrave më të mira evropiane.

Aktualisht përfaqësuesja e Kosovës në futsall po luan ndeshje miqësore.

Artikuj të ngjashëm