Përfaqësuesja e Kosovës në futbollin e sallës do të jetë në Grupin D bashkë me Malin e Zi, Austrinë dhe Gjibraltarin.
Kundërshtarët e fazës parakualifikuese për Botërorin 2028, “Dardanët” i mësuan të premten në shortin që u tërhoq në Nyon të Zvicrës.
Ndeshjet e fazës së parakualifikimeve do të luhen nga 6 deri më 15 prill të vitit të ardhshëm.
“Shorti është i mirë, por varet gjithmonë nga forma që do ta kemi në prag të ndeshjeve. Uroj të mos kemi lëndime të lojtarëve dhe që të gjithë të jenë në formën më të mirë të mundshme. Jemi favorit në letër, por nuk ka përfaqësuese të dobëta. Të gjitha kanë shënuar rritje. Mund të vlerësohemi favorit por kjo nuk na jep të drejtën që të relaksohemi dhe t’i marrim parakualifikimet si punë e kryer. Duhet të punojmë e të stërvitemi me përkushtim maksimal”, ka deklaruar të premten për KOHËN selektori i Kosovës në futsall, Agon Ramadani.
Dy përfaqësueset e para nga gjashtë grupe sa janë gjithsej, avancojnë tutje në fazën “Main Round”. Në raundin tjetër të kualifikimeve do të jenë 24 përfaqësueset me renditjen më të mirë në ranglistën e FIFA-s.
Në Grupin D ku është Kosova ende nuk dihet kush do të jetë nikoqire e grupit. Kjo do të mësohet më vonë.
Shqipëria ndërkohë është në Grupin E me Letoninë, Qipron dhe San Marinon.
Fitues në fuqi i Botërorit të futsallit është Brazili. Brazili e mban rekordin me gjashtë tituj kampioni të botës.
