Federata e Futbollit të Kosovës së shpejti pritet të marr vendimin lidhur me garat e futbollit në vend. Kjo është bërë e ditur të enjten pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Në shumicën e vendeve tashmë janë marrë vendimet për fatin e kampionatit të futbollit.
Por federatës kosovare i duhet edhe pak kohë për të vendosur, raporton Koha.net.
Sipas njoftimit, Komiteti Ekzekutiv ka analizuar opsionet e mundshme për rifillimin e garave. FFK-ja është në kontakt të vazhdueshëm me organet përgjegjëse, njëjtë si me UEFA-n e FIFA-n.
Komiteti Ekzekutiv ka marrë vendim për ulje të pagave të të punësuarve në Federatë.
“Duke parë gjendjen e rëndë me të cilën po ballafaqohet Kosova, KE mori vendim që pagat e të punësuarve në FFK, të ulen deri në 50 për qind e të cilat mjete do të shfrytëzohen për pako ushqimore për njerëzit me nevojë”, thuhet në njoftim.