Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FFK-ja do të ankohet në UEFA për garat ilegale të Serbisë

Ligat ilegale serbe ne Kosove

Federata e Futbollit e Kosovës ka dënuar zhvillimin e garave ilegale të futbollit të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Në një reagim për media, FFK-ja i ka cilësuar këto zhvillime “shqetësuese dhe të papranueshme”. Kjo federatë ka thënë se do të ankohet në UEFA për këto gara.

KOHA të hënën raportoi se si në Kosovë po zhvillohen gara të Federatës së Futbollit të Serbisë. Madje FFS-ja ka organizuar edhe “Ligën e Qarkut të Anamoravës së Kosovës”.

“Raportimet e fundit në media për zhvillimin e ndeshjeve garuese nga struktura ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës, ndonëse në nivele amatore, janë shqetësuese dhe të papranueshme. FFK-ja edhe më herët i ka diskutuar këto dukuri brenda Këshillit për Sport dhe ka kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme. Aktivitetet e tilla e cenojnë autoritetin e FFK-së dhe sovranitetin e Kosovës në përgjithësi. FFK kërkon nga të gjithë faktorët relevant të shtetit, Këshilli për Sport dhe organet e rendit, që të ndërmarrin hetime urgjente dhe t’i ndalojnë aktivitetet e tilla ilegale dhe është e gatshme të ndihmojë me ekspertizë dhe mbështetje përmes mekanizmave të UEFA-s dhe FIFA-s”, thuhet në reagim të FFK-së.

Federata e Futbollit e Kosovës ka thënë se është e gatshme të bashkëpunojë me komunitetin serb për futboll, por jo për të lejuar gara ilegale.

Po ashtu FFK-ja ka shprehur shqetësim për moslicencimin e saj nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Madje ka thënë se “si duket pikërisht këto veprime të autoriteteve të Kosovës kundrejt pavarësisë së FFK-së i kanë trimëruar strukturat ilegale të Serbisë që të organizojnë aktivitete të futbollit në Kosovë”.

“Lidhur me këto aktivitete ilegale e ndërhyrje direkte të Serbisë, si dhe procesin e licencimit dhe zhvillimet e fundit nga organet e hetuesisë kundrejt FFK-së, do të reagojmë dhe do të kërkojmë intervenimin e UEFA-s, gjatë takimeve që do t’i ketë delegacioni i Kosovës në Kongresin e radhës të UEFA-s që do të mbahet nesër në Lisbonë të Portugalisë”, thuhet në reagim.