Nuk është aspak e habitshme që skuadrat e mëdha të Evropës këtë verë janë vërsulur pas futbollistit të Valencias, spanjollit Ferran Torres. 20-vjeçari ka vlerësime të larta nëpër mediumet spanjolle, që njëzëri e quajnë si “futbollist të kompletuar” në çdo aspekt, shkruan "The Sun".
Një prej skuadrave favorite për ta transferuar Torresin gjatë këtij afati kalimtar të verës, po shihet Manchester City. Ekipi anglez ka konkurrencë të fortë për shërbimet e Torresit, të cilit tashmë i ka ofruar kontratë pesëvjeçare. Ai ka kontratë me Valencian deri në vitin tjetër, por një klauzolë lirimi në vlerë prej 100 milionë eurosh.
Arsyeja që Torresi vlerësohet si “futbollist i kompletuar” është se ka aftësinë për të luajtur në dy krahët e fushës. Në fakt, ai mund ta mbulojë njërin krah pa problem, qoftë si mbrojtës apo sulmues. Te Valencia këtë edicion, Torresi është aktivizuar në krahun e majtë dhe në 44 paraqitje në të gjitha garat, Torresi ka kontribuar me gjashtë gola e tetë asistime. Te City, ai po shihet si pasardhës i denjë i gjermanit Leroy Sane që javë më parë iu bashkua Bayern Muenchenit. Në të vërtetë, duke pasur parasysh pasimet e tij të sakta, te City spanjolli mund ta zëvendësojë edhe bashkëkombësin e tij, David Silva, që do të largohet nga ekipi anglez pas një dekade. Me një fjalë, Ferran Torres në La Liga shihet si pasardhës i denjë i mesfushorit të mirënjohur, Joaquinit.
“Torres është një lojtar që mund të luajë si mbrojtës apo sulmues krahu, por nuk e ka problem të aktivizohet edhe si mesfushor. Është një lojtar i kompletuar që mund të përshtatet dhe ta bëjë dallimin në çdo ekip”, ishte përshkrimi i gazetave spanjolle për Torresin.