Sport

Feronikeli përballë Drenicës, Llapi ndaj Trepçës ‘89

Derbi i xhiros së 30-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet në stadiumin e qytetit të Gjilanit, ku do të përballen nënkampionia Prishtina dhe kampionia Drita.

“Bardhekaltrit” e Prishtinës kanë një seri prej tetë fitoreve rresht dhe për ta ndjekur garën për titull, kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në përfundim të këtij edicioni, i duhet vetëm fitorja.

Të dyja skuadrat me ngjyra të njëjta kanë qenë të pagabueshme në duelet si nikoqire. Drita pati fituar 1:0, kurse Prishtina 2:0.

Fitore për ta ruajtur kreun e tabelës, synon edhe Feronikeli. Derbi i rajonit të Drenicës ndërmjet skuadrës nga Drenasi, Feronikelit dhe Drenicës zhvillohet në Skenderaj, raporton KTV.

Ndeshja e parë kishte përfunduar pa gola, kurse të dytën Nikli e fitoi 2:1.

Të dyja ndeshjet do të zhvillohen të shtunën nga ora 16:00.

Ndërkohë, të dielën luhen edhe katër ndeshje në fokus do të jetë pretendenti tjetër për titull të kampionit të këtij edicioni, Llapi, që në shtëpi e pret ish-kampionen Trepçën ’89.

Llapi nën drejtimin e Tahir Batatinës ka regjistruar gjashtë fitore rresht dhe synon ta fitojë edhe të shtatën.

Edhe për mbijetesë do të jenë dy përballje interesante, ajo ndërmjet Gjilanit dhe Flamurtarit dhe Ferizajt ndaj Lirisë.

Fitore për t’i ikur zonës së barazhit synon edhe Ballkani që në Obiliq luan ndaj KEK-ut të përshëndetur nga elita e futbollit kosovar.

Edhe ndeshjet e së dielës do të nisin nga ora 16:00.