Futbollistët e Ferizajt iu gëzuan shumë fitores së arritur ndaj Dukagjinit fundjavën e shkuar. Ferizaj shënoi golin që ia siguroi barazhin në minutën e 105-të. Goli i realizuar nga Astrit Fazliu, përkatësisht mënyra sesi pësoi portieri i Dukagjinit, Altik Muhaxhiri, ngriti menjëherë dyshime të mëdha për kurdisje, për çka edhe kanë nisur hetimet.
Por futbollistët e Ferizajt kanë lënë prapa atë ndeshje, për t’u fokusuar për ndeshjen tjetër vendimtare. Janë munduar të përgatiten maksimalisht për ndeshjen e barazhit, që luhet të dielën nga ora 15:00 në Podujevë. Përballë Ferizajt do të jetë Liria e Prizrenit.
Ferizaj ka mbyllur edicionin në vendin e tetë në Superligë, ndërsa Liria ishte e dyta në njërin grup të Ligës së Parë. E mposhti Ulpianën në ndeshjen e barazhit të Ligës së Parë dhe tani luan me Ferizajn për vendin në Superligë në edicionin 2023/2024. Skuadra që fiton në Podujevë, luan në elitë. Skuadra humbëse luan në Ligën e Parë edicionin e ardhshëm.
“Ndeshja që e kemi kundër Lirisë është më e rëndësishmja e sezonit. Barazhi është një ndeshje dhe nuk ka mundësi të dytë, prandaj e kemi parasysh rëndësinë që ka për të ardhmen e klubit, ne lojtarët, por edhe për qytetin e Ferizajt. Jemi përgatitur maksimalisht si unë, ashtu edhe bashkëlojtarët. Besojmë në fitore. Udhëtojmë për fitore dhe asnjë rezultat tjetër nuk është në kokën tonë. Liria është kundërshtare e fortë, por ne jemi FC Ferizaj dhe nuk do të lejojmë që ndeshja të na dalë nga duart. Presim përkrahje të madhe nga shikuesit tanë, pasi ju premtojmë se nuk do t’u zhgënjejmë”, ka thënë mbrojtësi i Ferizajt, Gentrit Halili, të shtunën për KOHËN.
Ferizaj prej të premtes është në karantinë jashtë qytetit. Nga Ferizaj ka pasur vetëm njoftime që kryesisht kanë pasur të bëjnë për shitje të biletave. Por ndryshe ishte me Lirinë e Prizrenit.
Liria pas fitores së arritur ndaj Ulpianës të shtunën e kaluar, ishte goxha aktive me njoftime. Paraqiti përkrahjen dhe mobilizimin e qytetit të Prizrenit. Publikoi edhe deklarata përkrahëse nga sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ish-kapiteni Anel Rashkaj dhe ish-futbollisti Patrik Doqi.
“I falënderojmë shumë Doqin, Rashkajn dhe Muriqin, emra të cilët kanë lënë gjurmë në futbollin evropian e vendor. Gjithë këta emra e qytetar pa dyshim që janë shtysë për ne që të japim maksimumin”, ka thënë sulmuesi i Lirisë, Liridon Fetahaj.
Liria synon të kthehet në elitën e futbollit të Kosovës pas një kohe të gjatë. Për herë të fundit në Superligë, Liria garoi në edicionin 2018/19. Dhe sulmuesi i krahut thotë se janë të motivuar për t’i arritur synimet.
“Ndeshja ndaj Ferizajt është shumë e vështirë. Ekipi i Ferizajt është shumë i mirë dhe me kualitet. Ne do ta japim maksimumin tonë për qytetin, ‘Arpagjikët’ dhe të gjithë dashamirët e futbollit prizrenas. Shpresoj që edhe shikuesit të kënaqen me lojën që do ta zhvillojmë të dyja skuadrat”, ka theksuar Fetahaj.
Liria vitin e kaluar nuk arriti inkuadrimin, pasi u mposht nga Vushtrria pas penalltive, në barazhin e Ligës së Parë.
Liria dhe Ferizaj pritet të kenë përkrahje shumë të madhe të shikuesve.