Ferizaj është ndalur në raundin e dytë të Kupës Evropiane për hendbolliste.
Ndonëse të dy ndeshjet i luajti në shtëpi, Ferizaj është eliminuar nga skuadra izraelite, Maccabi Arazim Ramat gan.
Ndeshja e parë, e luajtur të shtunën, ishte dramatike dhe përfundoi 26:24 në të mirë të Maccabit. Të dielën në ndeshjen e dytë, izraelitet kanë dominuar plotësisht dhe kanë shënuar fitore bindëse, 33:24. Pas pjesës së parë rezultati ishte 16:13 për Maccabin.
Amanda Stein ishte më efikasja te Ferizaj me nëntë gola. Amanda Lemos i shënoi shtatë gola. Por mungoi kontributi nga lojtaret e tjera.
Portierja Kaba Teninke, që shkëlqeu në ndeshjen e parë me 17 pritje, u lëndua herët në pjesën e parë. Dhe mungesa e saj është vërejtur shumë. Ferizaj për herë të katërt është paraqitur në gara evropiane.
Ka vetëm humbje deri më tani. Kupa Evropiane është niveli i tretë i garave kontinentale për klube të hendbollit.