Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Felixi debuton me karton të kuq dhe humbje me Chelsean

Joao Felixi e zhvilloi ndeshjen e tij të parë me Chelsean, qëkur u transferua nga Atletico Madridi. Por debutimi i portugezit me skuadrën e re nuk përfundoi siç ishte menduar. Ai u ndëshkua me të kuq në minutën e 58-të, ndërsa Chelsea u mposht.

Chelsea humbi 2:1 në udhëtim te Fulhami të enjten mbrëma, në ndeshjen e mbetur të xhiros së shtatë.

Ish-futbollisti i Chelseat, braziliani Willian, shënoi për epërsinë e vendësve në minutën e 25-të, ndërsa Kalidou Koulibaly barazoi shifrat në minutën e 47-të.

Carlos Vinicius në minutën e 73-të shënoi për 2:1 dhe vulosi rezultatin final.

Trajneri Graham Potter është në presion të madh.

E pësoi disfatën e shtatë sezonale dhe me “blutë e Londrës” pozicionohet në vendin e 10-të me 25 pikë. Fulhami është i gjashti me 31 pikë.